Politikanë të njohur kanë uzurpuar tokë shtetërore te Liqeni i Dibrës, rastet nuk zbulohen?!
(Foto Arkiv)
Uzurpimi i tokës shtetërore për qëllime private është bë dukuri relativisht e shpeshtë në Dibër dhe rrethinën e saj. Më së shumti synohen vendet më atraktive, siç janë rreth Liqenit të Dibrës, tek banjat, e keshtu me radhë.
Për një rast të ngjashëm edhe sot ka njoftuar policia e Dibrës, njofton bashkëpunëtori i portalit Lideri.mk nga ky qytet.
”Policia në Dibër ka bërë kallëzim penal kundër A.A. (20) nga fshati Mogorçë, Dibër, për shkak të ekzistimit të shkaqeve të dyshimit për veprën penale “uzurpim i pasurisë së patundshme”. Ai në tokën shtetërore në atarin e fshatit Kosovrast i Poshtëm, komuna e Dibrës, në mënyrë të paautorizuar ka vendosur një gardh metalik me gjatësi 74 metra dhe gjerësi 21.4 metra dhe ka vendosur një pllakë betoni”, njoftoi policia e Dibrës.
Përderisa zbulohen tentimet për uzurpim nga qytetarët e thjeshtë, në Dibër me të madhe flitet se shumë persona me lidhje të fuqishme politike kanë uzurpuar tokë shtetërore, kanë ndërtuar aty dhe askush nuk i ka penguar.
Qytetarët e Dibrës apelojnë që tani të zbulohen rastet e tilla nëse ekzistojnë me të vërtetë dhe në të ardhmen mos të tolerohen./A. Velica