May 4, 2024
Maqedoni

Policja me prejardhje nga Shipkovica që arrestoi Gjuriqin, asistoi në heqjen e flamurit serb dhe vendosjen e flamurit të Kosovës (Video)

Fjala është për Marigona Beadinin, e cila është pjesëtarja e parë femër e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës – ROSU, gjithashtu edhe sportiste e dalluar. Marigona është me prejardhje nga Shipkovica e Tetovës, kurse për opinionin mbarëshqiptar u bë e njohur para pesë viteve kur arrestoi politikanin serb Marko Gjuriq në Kosovë, transmeton Lideri.mk.

Mediumet njoftojnë se Marigona ka qenë pjesë e edhe e aksionit të ditës së premte, duke aistuar në heqjen e flamurit serb nga njëra prej komunave në Veri dhe duke e zëvendësuar me flamurin e Kosovës.

Të njëjtat media këtë vepër të Marigonës nga Shipkovica e kanë krahasuar me Marigonën që qëndisi flamurin e Pavarësisë në Vlorë, transmeton Lideri.mk.

“Po, Marigona ka qenë truproja kryesore e presidentit Ibrahim Rugova”, thotë kushëriu i babait të saj profesor Abdulla Mehmeti nga Shipkovica.

Ajo ka qenë kampione e karatesë dhe e boksit dhe e ka përfaqësuar Kosovën në gara ndërkombëtare të boksit.

Është një nga femrat që nuk iu dorëzua detyrave të dhëna nga eprorët, Marigona Beadini dikur kampione në sportin e Boksit dhe Karatesë tashmë është pjesë e Njësisë Speciale.

Së fundmi 35 vjeçarja ishte e ftuar në emisionin “Sui Generis” e cila rrëfeu për jetën e saj profesionale si dhe përkushtimit ndaj sporteve që njihet si të rënda.

Marigona ka rrëfyer eksperiencat më të vështira që është përballur, tash e gjashtë vjet në Njësinë Speciale, por edhe për periudhën e saj si sportiste e suksesshme.

Në vazhdim sjellim videon e heqjes së flamurit serb nga komuna e Zubin Potokut dhe vendosjen e flamurit kosovar, si dhe një video ku Marigona flet për jetën e saj profesionale në sport dhe si pjesëtare e policisë. (Lideri)