Policia nuk ndalet, arreston shpërndarësit e fletushkave në Veri që thonin se ushtria serbe do kthehet në Kosovë
Dy persona të dyshuar të moshave 46 dhe 53-vjeçare janë ndaluar në Mitrovicë të Veriut për shpërndarjen e fletushkave dy ditë më herët, ndërkaq një tjetër është në kërkim.
Këtë e ka konfirmuar për KOHËN zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, i cili ka deklaruar se janë bastistur katër lokacione.
Ai ka thënë se personat e ndaluar janë në fazën e intervistimit, dhe se sipas tij, ajo se çfarë do të ndodhë me ta do të vendoset pas intervistimit të prokurorit.
“Sot gjatë orëve të pasdites kemi bastisur katër lokacione në lidhje me rastin e thirrjes për rezistencë dhe i kemi ndaluar dy persona, ndërsa jemi në kërkim edhe të një personi të tretë. Pas intervistimit të tyre do të vendoset për veprimet e tjera”, ka thënë ai.