April 29, 2024
Kosovë

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim xhudistin e njohur, Akil Gjakova, i cili dyshohet për dhunë në familje, konkretisht ushtrim dhune ndaj bashkëshortes. Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për arrestimin e tij.

“Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar më autorizimin e Prokurorisë themelore nё Pejё, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët. Personi i kërkuar është: Akil (Luan) Gjakova, i lindur me 04.01.1996 nё Pejë. I pandehuri është i kërkuar për veprën penale: ‘Dhunё nё familje’. Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Akil Gjakova në fundjavë përmes një letre publike ka thënë se ndodhet jashtë vendit dhe se nuk ka kryer asnjë krim dhe me të arritur në Kosovë do të lajmërohet para organeve të rendit dhe drejtësisë.