July 1, 2024
Kosovë

Policia e Kosovës do i djegë uniformat e policisë serbe të konfiskuara në Leposaviq

Policia e Kosovës, para dy ditëve, pas informatave inteligjente në një shtëpi në fshatin Isev të Poshtëm të Komunës së Leposaviqit ka gjetur dhjetëra uniforma të policisë së rregullt dhe asaj speciale serbe, transmeton Anadolu.

Në një reagim në rrjetet sociale, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se “mekanizmi terrorist i Serbisë në veri të Republikës së Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë”.

Sipas ministrit kosovar, kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të Kosovës.

“Pas informatave inteligjente, në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviqit u gjetën dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës”, njoftoi Sveçla.

Ai tutje tha se falë vigjilencës dhe punës së pakursyer të të gjitha institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës “kjo tentativë e Serbisë për destabilizim të vendit suksesshëm po parandalohet dhe luftohet”.

Ministri kosovar theksoi se përkushtimi dhe vendosmëria për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial me të gjitha mjetet ligjore është obligim i shtetit.

“Të gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen pa kursim e përgjithmonë”, përfundon reagimi i ministrit Sveçla.

Nga nëntori i vitit 2022 qindra policë serbë të cilët punonin në kuadër të Policisë së Kosovës dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve që kanë targa serbe.

Burime nga Prishtina kanë thënë për portalin lideri.mk nga Shkupi se uniformat do të asgjësohen duke u djegur.

Ndryshe, aktivitetet e policisë kosovare në Veri janë shtuar pasi më 24 shtator 2023 në Banjska të Komunës së Zveçanit ndodhi sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe më pas u eliminuan edhe tre pjesëtarë të grupit që sulmoi policinë.

Autoritetet e Kosovës që nga kjo kohë kanë shtuar kontrollin dhe aksionet kundër terrorizmit në veri duke gjetur armë në disa lokacione, me dyshimin se ky armatim i gjetur mund të jetë i lidhur me sulmin e shtatorit të vitit 2023.