Policia arreston dilerët që shisnin dr’ogë për Shteklin (Video)
Pas shpërbërjes së grupit kriminal nga Haraçina, nga dje policia ka arrestuar anëtarët e një grupi tjetër kriminelësh, për të cilët Prokuroria ka kërkuar paraburgim, raporton PlusInfo. Bëhet fjalë për personat e grupit kriminal të bosit të drogës Rade Trajkovski-Stekli, i cili u arrestua dje pranë një hoteli në afërsi të Gjevgjelisë, teksa tentonte të arratisej, transmeton Lideri.mk.
Gjatë operacionit u sekuestrua edhe telefoni i një punonjësi të lartë policie, i cili dyshohet për rrjedhje të informacionit në lidhje me bandat e drogës.
Prokuroria dhe policia kanë dhënë sot deklaratat zyrtare për aksionin.
“Që nga dje, nën udhëheqjen e një prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Prokurorinë e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në zonën e Shkupit në bashkëpunim me MPB-në është kryer aksion i koordinuar. Departamenti i Operacioneve Speciale të Policisë ka kryer kontrolle në 20 lokacione në Shkup dhe një lokacion në Gjevgjeli. Gjatë kontrolleve u gjetën dhe sekuestruan sende të shumta që lidhen me shitjen e paligjshme të drogës dhe lëndëve narkotike. Janë privuar nga liria 10 persona për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se janë anëtarë të një grupi kriminal që prej një kohe të gjatë kryen krime në fushën e trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike. “Të dyshuarit, anëtarë të grupit kriminal, shpërndanin dhe organizonin shitje në rrugë të lëndëve narkotike direkt te përdoruesit”, tha Prokuroria./Lideri