Polici që humbi këmbën nga infeksionet në QKUK
Ka më shumë se 3 vjet që Remzi Rashica nga Vushtrria, jeton me këmbë të amputuar. Ai theu këmbën e majtë në qershor të vitit 2018, teksa punonte në oborrin e shtëpisë së tij.
Polici 59-vjeçar dyshon se gjatë trajtimit në Klinikën Ortopedike në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), i ishte infektuar këmba.
“Më kanë operuar, shumë ka zgjatur [operacioni], 4-5 orë më duket. Më kanë çuar në dhomën time. E kam dëgjuar një mjek, vetë ka thënë ai, por nuk e di cili është… po frikësohem, ishalla nuk i infektohet. Për çfarë arsyeje, nuk e di. Veç e kam dëgjuar me veshët e mi, tha: Ishalla nuk infektohet”, rrëfen ai.
Ai thotë se vetë mjekët që e kishin nën mbikëqyrje i rekomanduan pas operacionit që të shkojë urgjent në ndonjë klinikë të specializuar për infeksione, duke i ofruar shpjegime vetëm përmes një fletë-lëshimi.
Dokument të ngjashëm i lëshoi edhe Kolegjiumi i Mjekëve të Ortopedisë, duke thënë se pacientit i nevojitet trajtim jashtë vendit.
Me gjithë përpjekjet e Radios Evropa e Lirë për të biseduar me mjekë dhe drejtues të Klinikës së Ortopedisë, që mund të jenë në dijeni për rastin, ata nuk pranuan të flasin.
Pas largimit nga Klinika e Ortopedisë, Remziu u zhvendos në një klinikë të specializuar për infeksione në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Dhjetëra operacione në Turqi
Remziu tregon se kishte qëndruar më shumë se dy javë në një klinikë në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, më shumë se dy javë ekzaminime atje nuk i sollën asnjë ndryshim. Dhe, rruga e trajtimit vazhdoi në një spital të Turqisë.
“Dy muaj [në Turqi] janë munduar, nuk mundën… Pas dy muajsh, nuk e di saktë 50-60 ditë, erdhi mjeku dhe më tha: po më vjen keq, a dëshiron të jetosh pa këmbë apo të vdesësh me këmbë? I thashë: jo, dua të jetoj. Dhe po të tregoj, unë mezi prita ta heq këmbën se u lodha”, tregon ai.
Për të stabilizuar gjendjen, gjatë tre vjetëve të fundit, Remziu iu nënshtrua më shumë se dhjetë operacioneve në Turqi.
“Herën e dytë, se dy herë ma kanë hequr [prerë] dhe, në fund, ka ardhur më ka thënë ai mjeku kryesor, po më vjen keq, duhet edhe katër gishta, me gishta e maste se nuk e kuptoja, sepse më tha ke infektim prapë. I thashë: a mund të më tregosh, dua ta di se si ka ardhur deri tek infektimi. Herën e parë, tha, kur je operuar, të është infektuar këmba”, thotë ai.