May 15, 2024
Kolumna

Poema e Lagjes së trimave (Një përshëndetje poetike për Blerta Deliun)

Zejnepe Alili Rexhepi

Një histori e trishtë sapo filloi…
Besonim se liria është varkë tundimesh
dhe mund të jetohej mes ëndrrash të arnuara
sa të hidhnim mallin përtej,
si ngarkesë t’i përvidhej kohës
labirinteve të ngatërruara të gjenim udhët e lashta.
Kjo pranverë do ta bartë mallkimin e moteve…

Dhembshurisht sodisim portretin e shkrumbuar
pas atij mëngjesi kur shikimi u dogj nga gjuhëza flakësh
vërshuar mbi Lagjen e trimave, Maji nuk i ngjante stinës,
nga plumbat u rreckosën ëndrrat shqiptare
të gjymtuara morën udhë me kohën dhe fatin
veç zhgjëndrra e lakuriqësoi sojin e mallkuar
përderisa e barrikadoi jetën dhe fjalën.

Ndaloi koha, edhe ëndrrat e ndiejnë lëngatën e stinës,
shpresa të mjegullta parakalojnë si shtëllunga resh,
Abetarja e djegur nxjerr ofshama shkronjash
me gjuhë urrejtjeje të shkruhet ardhmëria.
Vogëlushja kërkon abetaren dhe hijerëndë,
me zhubrosjet që dhunshëm ia la koha, shkroi:
Diell s’ka, i përndezuri qiell lëshoi rrufe mbi ne…

Loti i dhembjes si shndriza harkohet në sy
imazhe të gjakosura përthyhen në Lagjen e trimave.
historitë shqiptare i kryqëzon trishtimi,
të pa pagëzuara mbeten tragjeditë, e vogëlushja
e abetares së djegur shkruan me dhembje shpirti:
Dua që Bota të flejë në pëllëmbët e mia
e unë të dremis në petalet e saj të lulëzuara!

Po veç përvjetorë tragjedish absurde
mban kjo tokë, fati shqiptar sillet rreth zjarrit
si në hell digjen ëndrrat e ngrihen në fluturza
të zeza, si vetë mallkimi i “Lagjes së egër”
pa zot, fatesh pa identitet…
djegurina mbi të cilat edhe shiu do kishte etje
e pentagramet e dhimbjes ngjasojnë me krrokamë sorrash.

Heu, si digjen kaq lehtë ëndrrat, gjeneral?!
A shemben fortesat e lirisë, që sot erë hiri të kundërmojnë,
dhe komandantët mish për korba të lihen?!
Udhës për te Lagja e trimave, trëndafila të zinj do mbijnë
pranverë e pa bleruar therëse i ke pamjet…
sa fasha të hoqën të paudhët?!
Dhe s’u shkundën nga përgjumja kalorësit e “idealit”.

Kur një erë e re të vijë, mërzitur do rrijë pranë pendesa,
kujtimet e moçme irnosur nga dhimbjet
do të sëmbojnë mall në të lodhurin shpirt,
bregore lëngatash do të bartë jeta…
E në është e bukur e nesërmja, ujëvarat mbi të
të derdhin mirësi të,
historitë shqiptare, trofe kohësh antike të mbeten
të smaltohen e të pushtojnë lartësitë…!