May 14, 2024
Maqedoni

Pocesta me apel emocional për mërgimtarët dibranë: Ejani më 14 nëntor, për Dibrën duhet të vendosim gjithë bashkë!

Bekim Pocesta

Të nderuar Dibranë të mërgatës,

Po ju drejtohem sot, duke qenë i vetëdijshëm për dashurinë tuaj ndaj vendlindjes, si dhe për rolin tuaj kyç në të gjitha proceset dhe nevojat e qytetit tonë të dashur.
Vota e juaj mban më afër lidhjen tuaj me vendlindjen, duke ju dhënë mundësinë e drejtpërdrejtë të bëheni pjesë e ndryshimit të madh dhe aq shumë të nevojshëm të Dibrës.
Ata e treguan se sa mosmirënjohës janë ndaj jush, duke ofenduar të gjithë ata Dibranë që sot jetojnë e veprojnë jashtë Dibrës.
Çdo votë është vendimtare, parandalon manipulimet dhe presionet të cilat sot qytetarët po i përjetojnë në masë të madhe, sepse kjo nuk është më një betejë ndërmjet Bekimit dhe një kundërkandidati. Është një luftë kundër atyre të cilët bëjnë çmos për ta mbuluar korrupsionin, pozitat që kanë në shërbim të interesave të ngushta individuale, duke mos e pasur guximin që ta kërkojnë votën e qytetarëve me pastërti, me ndershmëri.

Ju bëj thirrje nga zemra që të mobilizoheni të gjithë. Më 14 nëntor Dibra më shumë se kurrë ka nevojë për ju. Të vini dhe me votën tuaj të lirë ta mbroni verdiktin i cili doli nga populli më 17 tetor. Të mos lejojmë që ministra, drejtorë dhe funksionarë të cilët në tre vite nuk i kanë kthyer kokën qytetit e nuk e kanë shkelur kurrë, të vinë e të shantazhojnë bashkëqytetarët tanë.
Ju e dini se si e kanë katandisur qytetin, sepse e keni jetuar dhe ne e jetojmë çdo ditë. Nuk duhet të lejojmë më që e ardhmja dhe shpresa e vetme e rinisë të jetë ikja nga vendlindja, por të punojmë bashkarisht dhe të krijojmë kushte që bijtë dhe bijat tona t’i mbajmë në vendlindje.
Për Dibrën duhet të vendosim të gjithë ne. Ndaj, ju bëj thirrje të vini masivisht që të marrim në duart tona fatin e qytetit.
Dibra mbi gjithçka ❤️

Me respekt,
Bekim Pocesta