“Po punohet për datën e zgjedhjeve” – Ja cili është opsioni i mundshëm
Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se po punohet për caktimin e datës së zgjedhjeve, por pa precizuar nëse grupet e punës janë pranë marrëveshjes së mundshme ose jo, shkruan Alsat.
Jozyrtarisht 8 maji mbetet opsioni më i mundshëm, përkatësisht në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.
100 ditë para zgjedhjeve do të ketë Qeveri teknike.
“Kur saktë do të jenë zgjedhjet, opinioni do ta mëson pasi atëherë kur do të arrihet marrëveshja. Atë vendim do ta sjell Kuvendi, ndërsa zgjedhjet i shpall kreu i këtij institucioni. Duhet ta kemi parasysh se në pranverë kemi festa fetare dhe duke i pasur parasysh këto rrethana, do të sillet vendimi për datën. Do të ketë edhe Qeveri teknike 100 ditë para zgjedhjeve, ashtu siç parashikon ligji”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Sipas VMRO-DPMNE-së, pushteti për shkak të taktizimeve partiake po i shmanget marrëveshjes për datën e zgjedhjeve, e cila do të rezultonte me përfshirjen e serishme të LSDM-së në qeverisjen e ardhshme.
Hristijan Mickoski përsëriti thirrjen për organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në të njëjtën ditë. Mickoski tha se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë vonuar, sepse parapëlqehet që të mos miratohen ndryshime të tilla gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve.
Më herët, opozita tha se nuk do të delegojnë përfaqësues në grupin punues në Ministrinë e Drejtësisë, sepse bëhet fjalë për ndryshime teknike, për të cilat do të jepnin mbështetje në Kuvend.
Sa i përket kërkesës së opozitës për zgjedhje të dyfishta në afatin e rregullt, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka theksuar se datat e vetme janë mes 5 dhe 8 majit.