Petkov paralajmëron fillim të ri në zhvillimin e marrëdhënieve mes Sofjes dhe Shkupit

Vizita e kryeministrit Kiril Petkov do të shënojë fillim të ri në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale mes Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do t’i prezantojë hapat e ardhshëm që do t’i ndërmarrin dy qeveritë për zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale, kumtoi MPJ e Bullgarisë duke e paralajmëruar vizitën e kryeministrit bullgar në vendin tonë më 18 janar.

“Duhet ta ndryshojmë pikëpamjen tonë për atë se çka do të thotë Republika e Maqedonisë së Veriut të negociojë me BE-në dhe të jetë pjesë e saj në të ardhmen. Le të bisedojmë për të gjitha përfitimet që do t’i kemi ne dhe Republika e Maqedonisë së Veriut nga ky proces”, citohet në kumtesë deklarata e kryeministrit Petkov.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, vizita është planifikuar të realizohet menjëherë pas marrjes së funksionit të Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Me këtë, dy shtetet dëshmojnë për rëndësinë që ia japin marrëdhënieve të ndërsjellta dhe bashkëpunimit. Në takime pritet të riafirmohen rezultatet e deritanishme dhe përparimin e arritur, si dhe të vendoset komunikim plotësues intensiv në drejtim të tejkalimit të dallimeve për çështje të rëndësishme bilaterale mes dy vendeve”, thekson MPJ.

Në fokus të bisedave, sipas Ministrisë, do të jetë implementimi konsekuent i Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, të nënshkruar mes dy vendeve në gusht të vitit 2017, si dhe vazhdimi i përpjekjeve për përparim në tentimet që të sigurohet përkrahje për fillim të negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Ambasadorja franceze në bullgari, Florens Robin deklaroi se për vendin e saj çështja e zgjerimit të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është jashtëzakonisht me rëndësi dhe si kryesuese me BE-në në gjysmën e parë të vitit 2022 Franca do të ofrojë ndërmjetësim për përballje me kontestin mes Sofjes dhe Shkupit, Në këtë mënyrë, siç thotë në deklaratën për radio Darik, do të mund të zgjidhet kontesti mes dy vendeve dhe do të pohohet përcaktimi evropian i Parisit.

Sipas ambasadores Robin, Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe është çështje e sigurisë rajoni të kyçet më shumë në politikat e BE-së, zhvillimin ekonomik dhe këmbimin në përgjithësi. Ambicia e Francës është ta konfirmojë përkushtimin e vet evropian ndaj Ballkanit Perëndimor, e posaçërisht ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Florens Robin deklaroi se ka konteste mes vendeve fqinje, dhe shfaqi bindje se me vullnet të mirë dhe përmes diskutimeve dhe promovimit të respektimit të të drejtave qytetare dhe respektimit të pakicave, ata do të mund t’u përgjigjen këtyre sfidave. Sipas saj, me të vërtetë është me rëndësi stabiliteti dhe kultivimi i marrëdhënieve të mira, ndërsa me “mirëkuptim dhe dëgjim, gjërat mund të rregullohen”.

Shoqata qytetare për miqësi bullgaro-maqeodnase “Nën një qiell”, së bashku me Institutin për perspektiva ballkanike, Klubi kulturor ballkanik – Shkup dhe Oda ekonomike E Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut u dërguan letër të hapur kryeministrave të Bullgarisë dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në të cilën e përshëndesin dëshirën e dy kryeministrave për ndryshimeve dhe për shfrytëzim të muajve të ardhshëm për arritje të rezultateve pozitive.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Sofja, ata i përshëndesin hapat konstruktiv të qeverisë së re bullgare dhe personalisht të kryeministrit Kiril Petkov dhe shpresojnë se edhe Dimitar Kovaçevski dhe qeveria e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nëse zgjedhen, do të bëjnë hapa të tillë të njejtë korrekt dhe të saktë. Sipas autorëve të letrës, kërkesa e Petkovit për zgjerim të marrëdhënieve mes Sofjes dhe Shkupit me grupe të përbashkëta të punës në sfera të ndryshme janë mundësi të mbështeten në Marrëveshjen për miqësi, e cila, ceket, duhet të jetë fundamentale për marrëdhëniet mes dy vendeve. Gjithashtu, shtohet, do t’i mundësojë Bullgarisë ta kthejë rolin e vet të dobishëm në inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në Unionin Evropian, si dhe t’i nxisë aspiratat e vendeve të tjera nga Ballkani Perëndimor për anëtarësim në BE.

Autorët e letrës e cila është mbështetur nga 185 qytetarë, shpresojnë se kryeministri i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut do ta nxisë diplomacinë e vendit dhe institucionet të marrin pozitë më proaktive për sjellje të vendimeve të domosdoshme në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut dhe politikën e fqinjësisë së mirë me Republikën e Bullgarisë – përmes dialogut aktiv dhe këmbimit pozitiv të ideve për marrëdhënie dhe politika të reje të ndryshimeve.

Ish-kryeministri bullgar, dhe gjykatës kushtetues aktual, Filip Dimitrov. për situatën e tanishme mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, thotë se zgjidhja ekziston nëse së paku njëra palë, ndoshta më e fuqishmja, jep sinjale pozitive, ndërsa do të arrihet nëse të dyja palët bisedojnë si të barabarta.

“Nuk jam në pozitë t’i jap leksione qeverisë. Por, unë personalisht jam i bindur se nuk ka mënyrë të dakordohemi nëse nuk bisedojmë si të barabartë, me butësi, dhe pa ushtrim të presionit… Probleme dhe tensione nuk mund të mos ketë, por ato tejkalohen me kalimin e kohës, nëse vetëm njëri, ndoshta më i fuqishmi, jep sinjale pozitive. Por, nëse në një familje të ndarë dikush godet me këmbë dhe thotë: ‘Si nuk më don. Si më deshe para dhjetë viteve!’ Tingëllon mjaft qesharake, apo? Dashuria dhe respekti nuk kërkohen në gjykatë”, thotë në intervistë për BGNES Dimitrov, i cili e kreu funksionin e kryeministrit mes vitit 1991 dhe 1992.

Lidhur me historinë, Dimitrov thotë se ajo është shumë me rëndësi, por thekson se mirëkuptimi për të qartësohet me kalimin e kohës.