May 16, 2024
Maqedoni

Petkov do të zëvendësojë Radevin në Bruksel, pritet edhe një “JO” për Maqedoninë

Nëse Kuvendi sot e miraton Qeverinë e re bullgare, Kirill Petkov do ta zëvendësojë presidentin bullgar Rumen Radev si përfaqësues i Bullgarisë në Këshillin e fundit Evropian të këtij viti të enjten në Bruksel, shkruan “24 Orë”.

“Sipas rregullit në Këshillat Evropianë merr pjesë kryeministri i Bullgarisë, ndërsa në përjashtim të tyre merr pjesë presidenti kur ka qeveri teknike në vend. Deri më tani është planifikuar që Rumen Radev ta përfaqësojë Bullgarinë në Këshillin e fundit për këtë vit. Madje në Bullgari u spekulua se inaugurimi i qeverisë së re do të shtyhet në mënyrë që kreu i shtetit të mbrojë veton bullgare në Bruksel për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE”, thuhet në botim.

Por sipas “24 orëve”, lideri i “Ndryshimi vazhdon” dhe kandidati për kryeministër të ri bullgar Kirill Petkov kërkon që ai të shkojë në seancën e Këshillit dhe të negociojë me liderët e tjerë evropianë.

“Ai do të debutonte në Këshillin Evropian me kancelarin e ri gjerman Olaf Sholc, i cili u zgjodh nga Bundestagu javën e kaluar. Qëndrimi i Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut mbetet i pandryshuar, njoftoi Petkov të shtunën në prezantimin e propozimit për qeverinë e tij. Megjithatë, ky pozicion duhet të përmirësohet që të jetë në dobi për të dyja vendet”, shtoi kandidati për kryeministër të ri, kujton botimi.

“24 orë” thekson se në Bruksel, Petkov do të duhet të mbrojë qëndrimin kornizë të Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut të miratuar nga Qeveria teknike, duke kujtuar se javën e kaluar ajo mbajti qëndrimin se Bullgaria miraton fillimin e bisedimeve aderuese të Shqipërisë me BE-në, por jo për Maqedonia e Veriut.