Kosovë

Përveç raketës “Javelin”, Kosova do të blejë edhe disa sisteme të tjera ushtarake

Përveç raketës antitankt “Javelin”, Kosova ka në plan të blejë edhe disa sisteme të tjera ushtarake.

Këtë e bëri të ditur Liridona Gashi, këshilltare e ministrit të mbrojtjes Ejup Maqedonci, në një përgjigje për Klankosova.tv.

Megjithatë, ajo tha se nuk mund të japin më shumë informacione në këtë fazë.

“Sigurisht se është planifikuar blerja edhe e disa sistemeve të tjera, por në këtë fazë nuk mund të ndajmë informacione me ju”, u shpreh ajo.

ShBA-ja ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e sistemeve raketore anti-tank “Javelin”. Ministria e Mbrojtjes do të shpenzojë rreth 70 milionë euro për këto sisteme, që do të vihen në dispozicion për Ushtrinë e Kosovës.

Antitanku “Javelin”, për herë të parë u përdor në Irak në vitin 2003, ndërsa u bë e njohur në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, ku është përdorur gjerësisht në shkatërrimin e automjeteve të blinduara ruse.