Përtej shtetit-komb, nevoja për një hapësirë-komb shqiptare
Akil Kraja Executivedirector Fdf
A mund të quhet shqiptar një shtetas austriak i lindur në Shqipëri dhe që flet rrjedhshëm shqipen, por që nuk voton në vendlindje sepse Austria nuk e lejon shtetësinë e dyfishtë?
A mund të quhet shqiptar një fëmijë i lindur në Angli, nga prindër kosovarë, i cili nuk e ka vizituar kurrë Shqipërinë dhe pse ai është rritur me flamurin kuq e zi në dhomë? A janë ata diasporë shqiptare, dhe nëse po, a kanë të drejtën e votës?
Janë me dhjetëra kombinimet që mund t’i aplikojmë për diasporën tonë në Greqi, Itali, Angli e kudo në botë. Një diasporë e shumëfishtë, shqiptare dhe kosovare, por dhe maqedonës e malazeze, evropiane e amerikane. Një diasporë e re por dhe e vjetër, tanimë në brezin e tretë. Emigrantët e viteve 90 po bëhen gjyshër dhe janë me mijëra fëmijët ‘shqiptarë’ të cilët të integruar plotësisht në vendlindjen e tyre të re, e shohin shqiptarinë si një shtesë të identitetit të tyre të ri. Kemi sot të rinj nga prindër kosovarë, lindur në gjermani, që janë shqiptarë, por dhe mijëra shqiptarë, me shtetësi kosovare të lindur në Angli.
Në këtë 110 vjetor të pavarësisë, ishin të rralla shkrimet projektuese të asaj çka ‘shqiptaria’ mund të përfaqësojë në të ardhmen. Të gjithë flasin për të shkuarën e largët dhe pothuajse askush nuk guxon të flasë për të ardhmen e afërt. E vlefshme kjo dhe për fjalimet e seancës parlamentare të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Dhe aty, përpos shumë ngjyrimesh nostalgjiko-historike, kishte shumë pak vizion, ëndrra e projekte për atë se çfarë mund të jetë shqiptaria e së ardhmes.
Realitetet e sotme kanë nevojë ulëritëse për një vizion të qëndrueshëm, konkret dhe afat-gjatë. Janë qindra sipërmarrësit shqiptarë që bëjnë biznes në Kosovë, ashtu siç janë po kaq ata nga Kosova në Shqipëri. E njëjta gjë për mijëra shqiptarë të diasporës që investojnë në Shqipëri e Kosovë. Në media, në art, në sektorin bujqësor apo financiar, në turizëm e ndërtim, sot Ballkani, nga Kroacia e deri në Greqi, dëshmon një prezencë aktive shqiptare e cila është njëherazi ekonomike, kulturore dhe politike.
Kjo situatë e re kërkon një ridimensionim të konceptit të shtetit-komb. Ne nuk kemi më një shtet, por dy, duke e anashkaluar faktin që Kosova është në fakt një shtet-multietnik. Por dhe nën petkun e dy shtet-kombeve shqiptare, sërish përgjigja është e paplotë pasi kjo përjashton shqiptarët e Malit të Zi, të Maqedonisë, të Preshevës, të Medvegjës, e Bujanocit. Por dhe ata të Austrisë e Holandës, që nuk e lejojnë dy-shtetësinë, ashtu si Gjermania deri para pak kohësh. Në fakt, shteti-komb ashtu siç e njohim sot, përjashton gjithashtu dhe vetë shqiptarët dhe kosovarët. Për shkak të tij, ata nuk mund të shprehen mbi atë që mund të përfitojnë nga të qenurit shqiptarë pasi si njëri, si tjetri, votën e tyre e kanë gjeografikisht e administrativisht të kufizuar, ndërkohë që shqiptaria nuk është e tillë.
A mos ka ardhur vallë koha për diçka që shkon përtej kufizimeve të shtetit-komb duke propozuar krijimin e një hapësire-komb shqiptare? Një hapësirë, e cila do të përfaqësonte mundësinë për çdo shqiptar për të përfituar një shërbim kombëtar kudo që ai ndodhet.
Po, secili prej rasteve që përmendëm në krye të këtij shkrimi është shqiptar. Kjo vlen për të gjithë bashkëkombësit tanë në rajon, por dhe ata në Itali, Angli, Kanada e SH.B.A. Dhe ata që mund të mos kenë shtetësinë shqiptare apo kosovare, si në Holandë. Është shqiptare dhe skiatorja me origjinë italiane e cila garon me flamurin tonë në kampionatin botëror të skive. Është shqiptar dhe kampioni i mundjes me origjinë çeçene që na dhuroi medaljen e artë. Janë 744.000 shqiptarë që janë larguar vetëm gjatë qeverisjes Rama, situata do të komplikohet dhe më shumë në të ardhmen.
Hapësira komb arrin të trajtojë njëherazi të tre këto realitete. Të parin tejet kompleks, të pozicionuar në Ballkan. Realitetin e dytë, atë ndërkombëtar, i përcaktuar nga një diasporë gjithnjë e më globale dhe jo vetëm europiane. Dhe së treti, një realitet kur me gjasa Shqipëria e Kosova do të kthehen dhe ata në vende pritës emigracioni. Këto realitete na detyrojnë të përcaktojmë qenien “shqiptar” si një identitet gjithëpërfshirës, tolerant e bashkëjetues. Sipas kësaj qasjeje, përtej shtetësisë, ajo çfarë do ta bënte dikë shqiptar do të ishte ekzistenca e një lidhjeje gjaku, familjare e kulturore me kombin shqiptar. Kjo do të mund të përkonte me krijimin e një “karte shqiptare”, si një hap i parë në krijimin material të një hapësire komb.
Së dyti, zotërimi i një “karte shqiptare” – nuk flasim për një dokument shtetësie, por për një dokument kombësie – do të ishte mundësia për çdo posedues të kishte akses në çdo institucion shkollimi në gjuhën shqipe kudo në botë, të financuar nga autoritetet lëshuese të kartës. Do të ishte mundësia që të punoje në Shqipëri e Kosovë pa patur nevojë për ‘leje qëndrimi’. Ajo mund të mundësonte dhe avantazhe të tjera administrative që nuk do të binin në konflikt me shtetësinë Shqiptare apo Kosovare, përfshi pse jo dhe avantazhe fiskale. “Karta shqiptare” mund të sillte dhe lehtësira të tjera për një komb sipërmarrësish që kërkon të jetë një aktor i tregtisë rajonale e globale. Nëpërmjet kartës, çdo shqiptar do të përfitonte një shërbim kombëtar kudo që ai ndodhet pa vendosur në rrezik “shtetësinë” e brishtë shqiptare apo kosovare dhe detyrimet që i imponohen nga faktori ndërkombëtar e evropian.
Së treti, personalisht besoj që një individ i cili nuk paguan taksa në Shqipëri apo Kosovë, nuk mund të votojë për zgjedhjet parlamentare apo vendore të njërit e tjetrit shtet. Por nga ana tjetër mendoj që një bashkë-kombas mund të votonte krejt natyrshëm për zgjedhjet e një autoriteti lëshues të “kartës shqiptare”. Ky mund të ishte një organ i zgjedhur demokratikisht nga zotëruesit e kartës, për shembull në formën e një agjencie ose të një senati mbarë-kombëtar. Këto institucione do të mbikëqyrnin të gjitha çështjet e hapësirës komb shqiptare në fushën e kulturës, arsimit, kërkimit shkencor e të biznesit etj. Pse jo të kishin dhe të drejtën për t’u shprehur mbi vendimmarrjet madhore vendore. Ato mund të shoqëroheshin dhe nga një Bankë zhvillimore kombëtare e cila do të financonte projekte infrastrukturore, edukative, sociale e sipërmarrëse në çdo komunitet shqiptar, duke lëshuar dhe bono kombëtare nga Presheva deri në Nju Jork. E pamundur? Le të kujtojmë se borxhi i parë publik shqiptar është financuar nga diaspora amerikane në vitet fill pas pavarësisë, dhe se marketingun ndaj lëshimit të këtyre bonove e ka bërë Fan Noli në poezinë ‘Jepni për Nënën’.
Në përmbyllje, sipas këtij skenari, hapësira-komb do të ishte një koncept perëndimor, modern, tolerant e gjithëpërfshirës. Ajo nuk do të merrej me ndryshimin e kufijve por me afrimin e njerëzve. Ajo do të ishte një nismë e çdo shteti, dhe jo vetëm e disave, ballkanike por dhe globale, njëherazi Evropiane dhe Atlantike. Ajo nuk do të merrej me kërkesa ksenofobe por me nisma përbashkuese në respekt të bashkëjetesës me çdokënd, çdo minoriteti dhe çdo religjion. Hapësira komb nuk do të ishte pushtuese dhe anihiluese, por integruese dhe liri-dashëse. Ajo nuk do të krijonte konflikte e prapambetje, por do të sillte zhvillim gjuhësor, mbrojtje të traditës, investime kundra braktisjes e pro-familjes. A nuk bëjnë pikërisht këtë Këshillat Kulturor Britanik? Aleancat Franceze? Qendrat Gete? Institutet Kulturore Italiane? Bankat dhe agjencitë zhvillimore evropiane dhe të vendeve të zhvilluara? Senatet dhe të zgjedhurit nga diasporat e tyre? A nuk ka trajta të ngjashme ‘Parlamenti Europian’ i votuar nga qytetarë evropiane me 27 shtetësi të ndryshme? Hapësira komb, do të ishte një lloj ‘komonuelth-i’ shqiptar sepse ne kemi shqiptarë evropianë por dhe anglez, kanadez, amerikanë e australianë. Shembujt janë aty, le të mësojmë nga sukseset dhe gabimet e kombeve të tjera.
Ky shkrim modest dhe deri diku prozaik, është në fakt një ngacmim i qëllimtë për të nxitur lexuesit, analistët dhe këdo që ka për zemër interesin kombëtar të shprehen sa më shumë në mënyrë pro-aktive në këto kohë sfidash për Shqipërinë e Kosovën. Dështimi fatlum i “Open Balkans” dhe rreziqet që i kanosen Shqipërisë e Kosovës nga influenca të huaja, duhet të na nxisin të diskutojmë lirshëm mbi një vizion të të ardhmes sonë të përbashkët. Ne duhet të bëjmë gjithçka jo vetëm të largojmë aventurierët anti-shqiptarë si Edi Rama, por dhe të ndërtojmë një vizion zëvendësues koherent, realist dhe ambicioz të asaj çka synojmë për të ardhmen tonë kombëtare. Përballë rreziqeve reale për sigurinë rajonale, faktori shqiptar duhet të jetë në gjendje t’i vendosë fre ideve utopike e luftë-nxitëse. Po kështu, shpopullimi tragjik i viteve të fundit nuk mund të mposhtet vetëm me retorika patriotike. Le të përfitojmë nga hapësira që po krijon rithemelimi i të djathtës shqiptare për t’i dhënë formë asaj që duhet të jetë boshti i saj i ardhshëm ideologjik kombëtar. Rezistenca ndaj ‘Open Balkans’, lufta për dinjitet personal e kombëtar, ashtu si dhe suksesi i primareve, dëshmojnë qartazi që vota e lirë, fjala dhe ambicia e lirë, e secilit prej nesh, janë jetike në garantimin e një pluralizmi që po ngushtohet gjithnjë e më shumë në një Shqipëri që po ç’bëhet dita ditës, e bashkë më të, dhe kombi shqiptar.