Kosovë

Persona me simbole ruse provokojnë në veri, një ditë pasi Vuçiqi u “ledhatua” në Bruksel

Persona të veshur me fanella me simbole ruse, kanë shpalosur të enjten flamuj serbë tek konvikti i studentëve në veri të Mitrovicës.

Këta flamuj janë vendosur pikërisht në vendin ku më parë kanë shkruar parulla nacionaliste përmes të cilave bënin thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Provokimet vijnë një ditë pasi presidenti serb Vuçiq në një farë mënyre u “ledhatua” në Bruksel, në takimin me kryeministrin kosovar Kurti.

KosovaPress mëson se personat në fjalë nuk janë të njohur për vendasit në Mitrovicë të Veriut dhe se disa prej tyre në fanellat e tyre mbanin simbolin e agresionit ushtarak rus në Ukrainë, shkronjën “Z”.

Kjo ngjarje ka ndodhur menjëherë pas kërcënimeve të të sanksionuarit të ShBA-së, Milan Radoiçiq ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të 14 shtatorit në Bruksel.

“Albin Kurti, si të gjithë pushtuesit, mund të bësh si të duash, por jo sa të duash. Koha do të tregojë se kush do të pësojë dhe do të paguajë në fund. Rroftë Serbia! Rroftë populli serb”, ka kërcënuar Radojiqiç në faqen zyrtare të Listës Serbe në Facebook.