Kosovë

Përshkallëzimi i situatës në rajon/ Britania dërgon 200 ushtarë në Kosovë, vendet tjera gjithashtu ndjekin shembullin e saj

“Trupat rezervë po përforcojnë operacionin paqeruajtës të NATO-s të Forcave (KFOR) pas një kërkese të Komandantit Suprem të Aleatëve për Europë, të miratuar të dielën nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut. Trupat janë tërhequr nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar kështu zëdhënësi i NATO-s, Dylan White.

Mbretëria e Bashkuar po vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar që tashmë po qëndrojnë në Kosovë, dhe përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë. Vendimi vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon.

Ky është një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e OKB-së: të mbajë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme për të mirën e sigurisë në Kosovë dhe rajonit.

Ne i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, e cila është mënyra e vetme për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm për të gjitha komunitetet.

Të gjitha palët gjithashtu duhet të përmbahen nga retorika nxitëse, e cila është kundërproduktive dhe rrezikon përkeqësimin e mëtejshëm të tensioneve.”