Përse të gjitha viktimat e dhunës fizike nga ”Tigrat” janë shqiptarë?!
MPB NUK MOHON SE KY NJËSIT PO OPERON NË SHKUP
“Tigrat” rrahin qytetarë nëpër rrugët e Shkupit, e Kryeministri nuk di gjë.
”Nuk kam parë në raportet e Ministrisë së punëve të brendshme që ka një gjë të tillë” – tha Dimitar Kovaçevski.
Por sot, më në fund edhe nga Ministria e punëve të brendshme u përgjigjën në pyetjet e tv Klan. MPB nuk e mohon, por as nuk konfirmon se në rrugët e Shkupit po operojnë “Tigrat”
”Ministria e punëve të brendshme po i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të garantuar rendin dhe qetësinë publike si dhe për ti sanksionuar personat që shkelin ligjin. Sipas analizave paraprake nga organet kompetente angazhohen punonjës të policisë nga njësite të ndryshme me qëllim që në mënyrë më efikase të kryhet obligimet” – thonë nga MPB.
Ky qëndrim i MPB-së vjen pasi ekipi i TV Klan, siguroi video materiale dhe fotografi që dëshmojnë se “Tigrat” janë ata që po patrullojnë nëpër Shkup edhe pse kjo nuk konfirmohej ditë më parë nga organi i rendit.
Cak i këtij njësiti janë objekte komerciale, diskoteka dhe kafene të cilat frekuentohen më shumë nga shkupjanet, siç është rasti edhe me këtë objekt hotelerik.
E rastësishme apo jo, të gjitha viktimat e dhunës fizike nga “Tigrat” në 20 ditët e fundit janë shqiptarë. Ky njësit elitar shënoi 41 vjetorin vitin e kaluar, e edhe pas 41 viteve, ky njësit është i përbërë vetëm prej maqedonasve. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Furkan Saliu