Shqipëri

Përplasjet në PD, Basha thërret Kuvendin më 18 dhjetor

Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri të ditur sot se ka vendosur të thërrasë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 18 dhjetor. Ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, kanë paraqitur javën e shkuar kërkesën, mbështetur në firmat e 4200 anëtarëve të Kuvendit, për ta thirrur atë një javë më parë. Në mbledhjen e kryesisë, e cila ka nisur sot pasdite, zoti Basha mësohet të ketë deklaruar se nuk do të ketë Kuvend Kombëtar më 11 dhjetor, pasi sipas tij, Sali Berisha nuk mund të shndërrojë ditën e demokratëve në ditën e bunkerizimit dhe izolimit të PD.

Thellohen përplasjet në Partinë Demokratike. Ndërsa prej ditësh po vlon debati firmat e grumbulluara nga mbështetësit e zotit Berisha dhe procedurave për zyrtarzimin e kërkesës së tyre për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, papritur është zoti Basha i cili i propozoi sot kryesisë vendimin për thirrjen e Kuvendit më 18 dhjetor. Burime nga mbledhja shpjeguan se kryetari demokrat ka qenë i prerë ndaj zotit Berisha duke deklaruar se “nuk do të ketë kuvend kombëtar të PD me 11 dhjetor”, datë e cila përkon me themelimin e kësaj force politike. “11 Dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD, në ditën e izolimit të PD. Ai dëshiron ta bëjë, sepse vetëm ashtu mendon se i shërben hallit të tij. Por detyra jonë është ti shërbëjmë hallit të demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës”, mësohet të jetë shprehur zoti Basha.

Projektvendimi që shoqëron propozimin e zotit Basha parashikon gjithashtu se “çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike”, duke paralajmëruar kështu masa disiplinore, ndaj kujtdo që do t’i kundërvihej.

Në rendin e ditës së Kuvendit të porpozuar nga zoti Basha, parashikohet “vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës”.

Ndërkohë, zoti Berisha dhe mbështetësit e tij kanë kërkuar që Kuvendi të mblidhet për të miratuar ndryshime në statut, me synim shkarkimin e zotit Basha. Ish kryeministri ka bërë të qartë se kërkon të rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike, pasi dy muaj më parë zoti Basha vendosi përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, në vijim të shpalljes “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit

Situata e krijuar duket se po çon forcën kryesore të opozitës gjithnjë e më shumë drejt një përçarjeje të pashmangshme.