April 27, 2024
Maqedoni

Përplasja brenda BDI-s për klinikën në Saraj, intervenon ministri Sali: Punimet nuk kanë përfunduar, Ministria e Shëndetësisë bartëse e projektit

Ministri i Shëndetësisë nga radhët e Alternativës, Bekim Sali, i ka dhenë fund dilemës lidhur me hapjen ose jo të poliklinikës në Saraj, që ishte shkas për përplasje brenda partiake në BDI, në mes zv/kryeministrit Artan Grubi dhe kryetarit të Sarajit, Blerim Bexheti. Sali ka thënë për Alsat, se objekti nuk ka përfunduar ende dhe se duhet disa gjëra të rregullohen.
Sali shtoi se askujt nuk i takojnë meritat ekskluzive për këtë poliklinikë, pasi që siç tha, ky projekt po realizohet në bashkëpunim mes disa institucioneve, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë, Komunës së Sarajit dhe Shtëpisë së Shëndetit në Shkup.
“Deri më tani poliklinika e Sarajit nuk mund të konsiderohet se është kryer me ndërtimin, kemi disa vërejtje të vogla te pjesa teknike makinerike, edhe aty te instalimi do të duhet të intervenojmë, për pjesën e pajisjes. Dua të cek, opinioni duhet të jetë i informuar se ne pajisjet kryesisht deri më 80 për qind ministria e Shëndetësisë i ka siguruar që nga muaji shtator por për shkak të peripecive lidhur me pjesën ndërtimore ne nuk i kemi instaluar dhe ata presin në depo për t’u instaluar, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Sali shpreson që kjo poliklinikë të lëshohet në funksionim në fund të muajit janar.
“Deri tani janë kryer kryesisht punimet ndërtimore, mirëpo në projektin bazë nuk është paraparë ndërtim i rrethojës dhe rrugës e cila ka qasje nga pjesa e jashtme e parkut deri në brendinë e poliklinikës të Sarajit, për këtë arsye është paraparë që të realizojmë edhe një aneks marrëveshje me realizuesin e punimeve në poliklinikë dhe kjo mbetet që brenda javës së ardhshme të bëhet, u shpreh Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Kujtojmë se ditë më parë zv/se kryeministri Grubi shpejtoi të shpallë punimet e përfunduara, duke shkaktuar kështu reagimin e kryetarit të Sarajit, Blerim Bexheti, i cili demantoi se punimet janë kryer.