Lajmet e reja

Përkujtim: Tre vite pa kryetarin e Vatrës Agim Karagjozi

Ramazan Bekteshi

Me Agim Karagjozin ndaj kujtimet më të bukura të bashkëpunimit në vitet më dramatike për Shqipërinë dhe Kosovën (1990-1999) ai si kryetar i Vatrës e unë si Koordinator i Degëve të LDK-së për Amerikë e Kanada.

Miq të mi dhe të Agimit, në këtë përvjetor të tretë të kalimit në amshim të Agimit tonë, po ndaj me ju një aktivitet dhe një foto të përbashkët që në atë kohë është publikuar nga Illyria.
Kjo foto është shkrepur në Shtëpi të Bardhë me 14 qershor, 1996 me rastin e “A celebration of ethnic America” me ftesë të presidentit Klinton.
Nga komuniteti shqiptaro-amerikan ftesë patën: Agim Karagjozi kryetar i Vatrës, Ilir Zherka Avokat ne Uashington DC, Ekrem Bardha veprimtar i madh e afarist, Gjok Martini Drejtor i Albanian Herald, Peter Kole afarist, dhe Ramazan Bekteshi Koordinator i Degëve te LDK-se për Amerike e Kanada. (Ndoshta ftese mund te ketë pas edhe ndonjë shqiptaro-amerikan por qe s’e pash aty apo nuk me kujtohet).

Në agjendën ditore pos Kryetarit Klinton dhe nënkryetarit Gore folën edhe: Richard Rily, Sekretar për Arsim, pasuar nga Anthony Lake, National Security Affairs. Pyetjes se I. Zherkes se ç’ bënë Amerika për të parandaluar konfliktin në Kosovë dhe a merren hapa për të gjetur një emisar special për të ndërmjetësuar?

Anthony Lake: “ Kosovën e kuptojmë si rajon eksploziv, andaj vëmendja jonë me arsye përqendrohet atje. Ne e kemi përsëritur qëndrimin e ish-administratës (Bush) që iu bë Serbisë në dhjetor 1992, nëse Serbia e kërcënon paqen në Kosovë dhe unë s’kam më fjalë diplomatike të përdor pasi Serbia kërcënon, ne do t’i përgjigjeshim një veprimi të tillë, hapja e Zyrës Informative në Kosovë, flet për kujdesin tonë ndaj këtij rajoni.”

Nënkryetari Al Gore në brifingun e tij në mes të tjerash tha: “Këshillat tua kanë qenë shumë të rëndësishme për ne, faleminderit për shërbimet tua qe n ‘a ndihmojnë se si duhet të jetë misioni ynë në bote. Ne kurrë s’do të tolerojmë rikrijimin e Bashkimit Sovjetik”.

Presidenti Klinton në mes tjerash tha: “Ju falënderoj juve që kujdeseni për rrënjët tuaja, duke e bërë këtë shtet me gërshetim të kulturave ndër më të ndryshmet, njëkohësisht dhe shtetin më të fortë në botë. Suksesi ynë brenda varet edhe nga politika jonë e jashtme.” Ai po ashtu foli për vatrat e krizës, zgjerimin e NATO-s, Evropën e unifikuar etj. Ai e përfundoi fjalimin me një kërkesë : “Do t’ju lutja juve qe t’u sugjeroni lidhjeve tuaja në Kongres e Senat për rëndësinë e këtyre fondeve për Evropë, sepse kemi zëra në Kongres e Senat për t’i ndalur këto fonde.” Në fund delegacionet u fotografuan me Presidentin e Nën-Presidentin.

Agim Karagjozit, Presidenti Rugova ia ndau “Medaljen e Lidhjes së Prizrenit.” Agimi ishte njeriu i urtë që bashkonte, ai ishte dhe mbetet nderi i kombit.

Në foto në ambientet e Shtëpisë së Bardhë: Agim Karagjozi (djathtas), Ramazan Bekteshi (në mes) Ekrem Bardha (majtas). Janë këta dy kosovarët më të mëdhenj që kam takuar në Amerikë, por që kanë lindur në Shqipëri.