Kosovë

Përfundon takimi i Kurtit me opozitën, u pajtuan që të mbrohen kufijtë e vendit

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për takimin e kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Takimi i sotëm është zhvilluar me qëllim të njoftimit të partive opozitare për gjendjen e sigurisë në vend, në veçanti në veri të Kosovës, njofton Klankosova.tv.

“Në takim u bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”, thuhet në kumtesën e Kryeministrisë.

Krerët opozitarë Krasniqi dhe Abdixhiku shprehën mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit tonë.

Ata po ashtu theksuan mbështetjen për Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore.