Maqedoni

Përfundon ekspertiza për incizimin e rastit “Alfa”, avokatja dhe familjarët: Dëshmohet pafajësia e të dënuarve!

Avokatja Artene Iseini, javën e kaluar ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Shkup kërkesën për përsëritjen e procedurës për rastin “Alfa”, pas ekspertizës që i është bërë jashtë vendit incizimit nga momenti i kryerjes së vrasjes së një polici dhe plagosjes së dy kolegëve të tij në vitin 2008, në parkingun e fakultetit matematiko natyror në Shkup. Në një prononcim për gazetën LAJM, avokatja Artene Iseini, ka thënë se shpreson që shumë shpejtë gjykata të sjell një vendim për përsëritjen e procedurës pasi, sipas saj, ekspertiza flet shumë për pafajësinë e të dënuarve në këtë rast.

Artene Iseni: Po, javës së kaluar është parashtruar kërkesa për përsëritjen e procedurës. Kërkesë kemi parashtruar edhe më përpara mirëpo qendrimi i gjykatës ka qenë se duhet të pastrohet ai video-material që ishte i plasuar nëpër mediume. Edhe përkundër faktit se ne kemi kërkuar nga gjykata që atë pastrimin e videos apo një ekspertizë fotogrametrike apo antropologjike ta bëjnë gjykatat përmes MPB-së apo Byros për Ekspertizë Gjyqësore, ne asnjëherë nuk kemi marrë një përgjigje konkrete se a disponojmë me teknikë, mjete apo resurse njerëzore për një ekspertizë të tillë. Kështu që familjarët u detyruan që të kërkojnë ndihmë nga vendet e huaja për pastrimin e atij video materiali. Dhe, më në fund arriëm, video-materiali është pastruar, është punuar shumë me profesionalizëm një ekspetizë e tillë dhe javës së kaluar veç kemi parashtruar kërkesën për procedurës, gjithë procesit gjyqësor dhe me automatizëm lirim e dy të dënuarve pafajshëm që po mbahen tash e 13 vite, të mbrohen në liri. Shpresojmë që shumë shpejtë gjykata do ta sjell një vendim të tillë sepse kjo dëshmi tregon shumë, tregon se ata janë të pafajshëm dhe shpresojmë në përsëritjen e procedurës në një proces të drejtë dhe të paanshëm ata do të shpallen të pafajshëm.

Edhe përkundër faktit se nuk kemi dhënë akoma detaje lidhur me ekspertizën, mund ta ndajë me opinionin se ne vetëm e kemi shikuar vetëm konkluzionin e ekspertizës dhe në konkluzionin e ekspertizës mund të bëjë me dije se, aty përpos ekspertizës që është konstatuar lëshime ka edhe shumë rrethana tjera që do të ndërrojnë gjithë procesin gjyqësor. Dhe ua bëj me dije gjithë opinionin se fajtor për këtë gabim fatal ndaj qytetarëve të Maqedonisë nuk është vetëm Gjykata por edhe Prokuroria dhe Policia sepse edhe hetuesia është bërë në kahje të gabuar dhe ka shku në mënyrë zinxhirore i gjithë gabimi nga policia në Prokurori dhe në fund të Gjykatë kurse dënimin e vuajnë Agimi dhe Rexhaili të pafajshëm.

LAJM: A e keni dërguar në gjykatë ekspertizën?

Artene Iseni: Patjetër. Në shtojcë të propozimit për përsëritjen e procedurës janë dorëzuar të gjitha materialet. Është dorëzuar ekspertiza me gjithë materialet të cilin e ka shfrytëzuar ajo zyre për ekspertiza që më vonë do të jetë e publikuar se nga kush është përgatitur.

LAJM: Ju keni parashtruar kërkesë për rigjykimin e rastit kur prisni që të nis gjykimi prej fillimi

Artene Iseni: Së pari duhet që Gjykata të sjellë vendim në lidhje me propozimin që e kemi bërë javën e kaluar dhe pastaj caktohet séanca e radhës se kur do të fillojë procesi gjyqësor. Por, së pari duhet të sillet vendim për përsëritjen e procedurës.

Edhe Ramiz Dauti, dëshmitar në rastin “Alfa” është optimist për zbardhjen e rastit për dëshmive nga ekspertiza e incizimit.

Ramiz Dauti: Presim drejtësi për arsye se çelsi kyç i hapjes së procedurës të rigjykimit të rastit ishte fakti i ri. Në këtë rast fakt i ri është ekspertiza e videos, analiza e Byros për Forenzikë e cila ka dëshmuar disa detaje që janë të rëndësishme për rigjykim të rastit edhe pse ne nuk kemi pas mundësi ta shohim ekspertizën se ajo është dedikuar gjykatës, por sipas raportit që na e kanë dhënë neve, aty dëshmohet qartë ajo që ne e kërkojmë 13 vite, pafajësia, aty shkruan tekstualisht për arsye se kemi qenë të refuzum 13 vite me radhë. Edhe tash është mënyra e vetme që Gjykata të merr vendim të drejtë edhe normal që edhe ne presim lirim e të burgosurve që janë pa faj në burg.

LAJM: Për çfarë arsye ju kanë refuzuar 13 vite?

Ramiz Dauti: Për arsye politike. Vendime politike që janë marrë më herët për arsye se për ta mbuluar gabimin e vet që e kanë bërë që ndodhi vrasja midis qytetit dhe fajtor bëhet dikush i pafajshëm. Nëse ato do të kishin dashur drejtësi prej 13 vitesh, posaçërisht pushteti actual, ka pas mundësi që ta kërkojë si ne që e kemi kërkuar si familjarë një Byro për Ekspertizë profesionale për zbardhjen e videos. Ato e kanë mbajtur videon 12 vite në Gjykatë dhe asnjëherë nuk janë interesuar ta zbardhin duke pas parasysh që e kanë mbyllur gjykimin me njerëz të pafajshëm edhe nuk janë interesuar. S’kanë pas mjete teknike, resurse njerëzore. Ka ngel kjo 13 vite njerëzve ua kanë mohuar të drejtën për jetesë dhe nuk kanë pasur interes për ta zbardhur këtë rast.

Jetulla Qerimi, vëllai i Rexhail Qerimit, i dënuar në rastin “Alfa”, pret që rasti të përsëritet dhe Gjykata të bazohet në prova.

Jetulla Qerimi: Me këtë kërkesë që e kemi bërë presim që sa më shpejtë Gjykata të merr vendim dhe t’i lirojë dy të dënuarit që janë padrejtësisht, 13 vite. Presin që drejtësia të punojë në bazë të fakte dhe pas këtyre fakteve t’i lirojë këta të burgosur të pafajshëm.

Më 26 nëntor të vitit 2008, në parkingun e fakultetit matematiko natyror në Shkup, me një breshëri plumbash nga kallashnikovi, ishte vrarë polici shqiptar nga njësiti policor Alfa, 38 vjeçari Afrim Arifi, kurse të plagosur mbetën dy kolegët e tij maqedonas me të cilët kishte qenë në patrullë, Sashe Petrovski dhe Edvard Aleksovski. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi nga fshati Opajë i Kumanovës dhe Agim Islami nga Shkupi. Me nëntë vjet burg u dënua Ramadan Shaqiri si bashkëpunëtorë në këtë vrasje, kurse me burg te përjetshëm u dënua edhe Almir Drpljani, i cili ishte në arrati, por më vonë u ekstradua në Maqedoni për ta vuajtur burgun.