Pendarovski tubim në Komunën e Aerodromit: Anëtarësimi në BE, alternativë e vetme për përparim
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është alternativa e vetme për përparimin e vendit, kështu është shprehur para banorëve të Komunës së Aerodromit, kandidati për president i mbështetur nga LSDM-ja dhe koalicioni, Stevo Pendarovski. Ai bëri thirrje për unitet, pa përçarje, për të realizuar qëllimet strategjike të shtetit, e një ndër to është anëtarësimi në botën e zhvilluar. Sipas tij, çdo përzgjedhje tjetër nuk është asgjë tjetër veç se kthim në të kaluarën ballkanike, e cila është e rënduar me konflikte dhe urrejtje.
“Kur ishim në prag të vazhdimit të atij procesi dhe përfundimit të tij në një kohë rekord, pra katër apo katër vjet e gjysmë negociata, në atë moment na dolën dy kundërshtarë – fqinji ynë lindor i cili, i udhëhequr nga politika shekullore antimaqedonase dhe antievropiane, na bllokoi, por kishim edhe brenda kundërshtarë. Partia më e madhe opozitare, për arsye të panjohura për mua, vendosi të bllokojë rrugën tonë evropiane. Ata nuk ranë dakord për gjënë më banale që mund të ndodhte – përveç shtatë kombeve dhe pjesëve të kombeve që kemi në Kushtetutën tonë, të shtohen edhe gjashtë të tjera, duke përfshirë komunitetin e vogël bullgar.”, – deklaroi kandidati për president i mbështetur nga LSDM-ja dhe koalicioni, Stevo Pendarovski.
Pendarovski ka folur edhe për arrestimin e gazetarit, Furkan Saliu. Ai ka thënë se nuk dëshiron të japë vlerësim para se atë ta bëjnë Gjykata dhe Prokuroria, por sipas tij në një vend demokratik që është anëtar i NATO-s dhe që pretendon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin. Lidhur me deklaratat e liderit të VMRO-DPMNE-së se do ta shqyrtojë pronën e Pendarovskit dhe nëse ka bërë gabim para ligjit, Pendarovski pyeti Mickoskin se a është kandidat për kryeministër apo kandidat për gjyqtar e prokuror. Ai rikujton Mickoskin se në këto zona 35 vite më parë ka qenë një politikan që ka shpallur arrestimin e një kundërshtari politik dhe ai ka përfunduar në Hagë./TVM2