April 29, 2024
Maqedoni

Pendarovski: Në mandatin tim e kam dëshmuar se presidenti mund të jetë i pavarur

Një mandat pa asnjë aferë korruptive, nepotizëm, konflikt interesash dhe pa bërë ndasi në baza etnike, janë disa nga arsyet që Presidenti Stevo Pendarovski thotë se e kanë shtyrë të paraqesë kandidaturën për një mandat të dytë, shkruan Alsat.

Pendarovski njoftoi kandidaturë qytetare dhe ftoi qytetarët të nënshkruajnë në zyrat e KSHZ-së që nga 3 marsi. Ai shtoi se në mandatin e tij ka dëshmuar se “presidenti mund të jetë i pavarur nga cilatdo qendra të pushtetit ekonomik ose politik në shtet duke përfshirë edhe nga ata që e kanë mbështetur në zgjedhje”.

I pyetur nëse pret mbështetjen e BDI-së eventualisht në rrethin e dytë, pas përplasjeve për ligjin për lojërat e fatit, Pendarovski tha se shqiptarët e kanë votuar në të kaluarën edhe pa marrëveshje politike me BDI-në.
“I pres votat e të gjithë bashkësive etnike siç ndodhi në vitin 2014. Në 2014-ën, në kulmin e autokracisë së Gruevskit, në kohën kur BDI-ja atëherë në koalicion me VMRO-DPMNE-në kishte qëndrim zyrtar se nuk ka kandidat konsensual, unë kisha 35 mijë vota shqiptare. D.m.th. edhe pa marrëveshje politike me cilëndo parti politike ka qytetarë nga të gjitha bashkësitë etnike që më kanë votuar dhe shpresoj se do të më votojnë”, tha Stevo Pendarovski, kandidat për President.

Presidenti, sipas Pendarovskit, duhet edhe më tej të zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta për të qenë një institucion i pavarur, madje edhe nga ata që e kanë mbështetur.

“Është shumë herë më mirë të keni president që është i pavarur nga subjektet politike por edhe nga qendrat të pushtetit ekonomik të cilat e dimë se ekzistojnë, kur jeni zgjedhur në zgjedhje të drejtpërdrejta, sesa që kur jeni zgjedhur në Kuvend. Nëse guxoj të spekuloj e dini se në pesë vitet e fundit kam qenë në përplasje direkte, shembull në vitin 2019 më aferën “Reket”, isha në përplasje direkte me partinë e atëhershme në pushtet. Unë u garantoj se nëse do të isha zgjedhur në Kuvend, madje edhe me Badenter, do të më kishin ndërruar po atë pasdite, u shpreh Stevo Pendarovski, kandidat për President.

Mbështetja e LSDM-së për Pendarovskin prit të zyrtarizohet në Kongresin e kësaj partie, që do të mbahet të dielën. Ai pret që këtë ta bëjnë edhe dhjetëra parti të tjera më të vogla që janë në koalicion me LSDM-në.