Pendarovski dhe Davkova i mblodhën nënshkrimet, një tjetër kandidat kërkon ndërprerjen e procedurës
Kreu aktual i shtetit, Stevo Pendarovski sot pasdite ka njoftuar se për më pak se pesë orë ka mbledhur 10 mijë nënshkrimet e nevojshme të qytetarëve për kandidaturën e tij për mandatin e dytë presidencial. Për pak kohë sot edhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së për presidente të shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, ka mbledhur numrin e duhur të nënshkrimeve. Ndërsa kandidati i pavarur për president, Gjorgji Manaskov, ka paraqitur kërkesë për ndërprerjen e procedurës për mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve, për, siç thotë ai, parregullsi nga ana e njësive rajonale të KSHZ-së.
“Parregullsia e parë është se nga qytete të caktuara nënshkruhen në qytete të tjera dhe në njësi të tjera rajonale të KSHZ-së. Çështja e dytë që po ashtu është shumë e parregullt, KSHZ-ja nuk ka kontroll mbi të, nuk ka verifikim kompjuterik të letërnjoftimeve dhe çdo qytetar mund të nënshkruhet nga cilido qytet apo nga ndonjë komunë tjetër, dhe kur dolëm jashtë, disa qytetarë thanë se nënshkruhen disa herë dhe vijnë me autobusë gjë që po ashtu është e parregullt”, tha Manaskov, përcjell TV21.