May 3, 2024
Maqedoni

PDE propozon Zulfi Adilin për anëtar të KSHZ-së, LEN thonë se kandidati u takon atyre

Lëvizja Populli e Skender Rexhepit nuk do të propozojë emër nga lista e kandidatëve për anëtar të KSHZ-së, por Partia Demokratike Evropiane e Arjanit Hoxhës tashmë ka propozuar Zulfi Adilin. Këto dy parti ishin në mesin e pesë partive shqiptare të cilat kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi i njoftoi se kanë të drejtë të japin propozimin e tyre për anëtar të KSHZ-së, shkruan Alsat.

Lidhja Evropiane për Ndryshim e përbërë nga tre partitë, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike thonë se tashmë kanë njoftuar kreun e Kuvendit për kandidatin e tyre i cili është Abdush Demiri, dhe është pikërisht ai që duhet ta marrë këtë pozitë.

Besa dhe Alternativa thonë se ata janë dy partitë e vetme që kanë garuar në zgjedhjet e kaluara, kurse partitë e formuara së fundi, nuk kanë të drejtë për këtë post.

“Nëse ky sabotim vazhdon dhe ky anëtar i jepet ndonjë partie satelite që e ka formuar BDI-ja së fundi ose kjo zgjedhje sabotohet që vendi i anëtarit tonë të mbetet vakant atëherë le t’ja ndalojnë opozitës pjesëmarrjen në zgjedhje, njësoj siç bëntë Jogosllavia e JNA-së së Xhaferit”, tha Safije Sadiku Shahini, Lidhja Evropiane për Ndryshim, Alternativa.

Rreziku që pozita e anëtarit të KSHZ-së të mbetet bosh është i madh. Opozita shqiptare ka mbështetjen e VMRO-DPMNE-së për anëtarin e tyre megjithatë nuk dihet nëse do ta marrë edhe mbështetjen e shumicës, tashmë që edhe Partia Demokratike Evropiane ka propozuar kandidatin e saj. Lidhja Evropiane për Ndryshim dyshon se qëllimi i kreut të Kuvendit Talat Xhaferi dhe i shumicës, është që të lë këtë pozitë në KSHZ bosh, me qëllim të manipulimeve zgjedhore.

“Opozita në Kuvend jep përkrahje sepse jep përkrahje për një kandidat që i takon opozitës në KSHZ. Nënkuptohet se opozita do të përkrahë çdo propozim që është i opozitës, nuk mund të përkrahë propozim që është i shumicës për shkak se me Kodin zgjedhor, vendi vakant është i opozitës”, theksoi Fadil Zendeli, Lidhja Evropiane për Ndryshim, Lëvizja Besa.

Për zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së nevojiten 80 vota. Kreu KSHZ-së Aleksandar Dashtevski ka deklaruar se plotësimi i pozitës së një anëtari do të ishte një ndihmesë shumë e madhe për institucionin që organizon zgjedhjet, sidomos me afrimin e zgjedhjeve. / Alsat.mk