May 19, 2024
Rajon - Botë

Pas pauzës humanitare në Rripin e Gazës, palestinezët e zhvendosur shkojnë të shohin shtëpitë e tyre

Pas pauzës humanitare në konfliktin midis Hamasit dhe Izraelit që hyri në fuqi mëngjesin e sotëm, mijëra palestinezë të zhvendosur pas sulmeve disa javore izraelite në Rripin e Gazës kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre për të kontrolluar pronën dhe për të kërkuar anëtarët e familjeve, raporton Anadolu.

Shumë palestinezë janë larguar nga shkollat ​​ku kërkuan strehim nga sulmet izraelite që zgjatën nga 7 tetori deri në hyrjen në fuqi të pauzës katërditore humanitare mëngjesin e sotëm për shkëmbimin e të burgosurve dhe dërgimin e ndihmave në Rripin e bllokuar të Gazës.

Në vazhdën e sulmeve të ashpra izraelite, shumë palestinezë në Rripin e Gazës me popullsi të dendur kanë humbur kontaktet me anëtarët e familjes për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të komunikimit dhe lëvizjes së kufizuar.

Sot në mëngjes, ushtria izraelite hodhi fletushka në pjesën jugore të Rripit të Gazës, duke paralajmëruar palestinezët që të mos lëvizin në pjesën veriore të Rripit, sepse është ende zonë lufte.

Pauza humanitare 4-ditor midis ushtrisë izraelite dhe Hamasit hyri në fuqi sot në mëngjes në të gjitha zonat e Rripit të Gazës, duke ndaluar përkohësisht sulmet për shkëmbimin e të burgosurve dhe dërgimin e ndihmave.