Rajon - Botë

Pas 102 viteve falet namazi i Bajramit në Xhaminë e Selanikut

Pas 102 vitesh, në Selanik është rihapur sot Xhamia e Re, për kremtimin e Fitër Bajramit…

Pas 102 vitesh, në Selanik është rihapur sot Xhamia e Re, për kremtimin e Fitër Bajramit. Monumenti historik, i cili përdoret si hapësirë ekspozite e Galerisë së Arteve Komunale, u është dhënë për herë të parë që nga viti 1922 myslimanëve për faljen e namazit të Fitër Bajramit.

Vendimi është marrë nga Sekretariati i Përgjithshëm i Feve dhe sipas ligjit imami që kryen namazin është zgjedhur nga shteti grek. Ai është egjiptiani Taha Abdelgalil i cili është shtetas grek dhe anëtar i komitetit fetar të xhamisë islame në Athinë. Namazi i parë në Xhaminë Yeni ka nisur herët në mëngjes në orën 7.30 dhe është mbajtur në gjuhën arabe, ndërsa hytbeja në arabisht dhe greqisht. Raportohet se prej orëve të para të mëngjesit ka pasur një prezencë të forcave policore dhe masa të rrepta sigurie, mes të cilave edhe kontroll në të gjithë Zonën dhe brenda xhamisë para se të hapej.

Më pas besimtarët kanë mbuluar tabelat dhe mbishkrimet e muzeut dhe kanë shtruar qilima për të falur namazin e Fitër Bajramit.