Partia e Micotakisit fiton zgjedhjet në Greqi, por i mungojnë numrat për formimin e qeverisë
Në zgjedhjet parlamentare të së dielës, partia qeverisëse e Greqisë, Demokracia e Re e cila udhëhiqet nga kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis shënoi fitore të madhe, mirëpo nuk i fitoi numrat e nevojshëm për të krijuar qeverinë e vetme, pa koalicion. Ky rezultat rrit gjasat që vendi të shkojë në balotazh të brenda një muaji. Me shumicën e votave të numëruara, Demokracia e Re, që është parti konservatore, mori një epërsi prej 40.8%, duke mposhtur partinë e së majtës së thellë – Syriza, e cila qeverisi nga viti 2015 deri në vitin 2019, me 20.1%. Sipas parashikimeve të Ministrisë së Brendshme të Greqisë, Demokracia e Re pritet të sigurojë 145 vende në parlament, vetëm gjashtë vende më pak se që i duheshin për të krijuar një shumicë absolute. Duke filluar nga sot, presidentja greke Katerina Sakellaropoulou u jep tre partive kryesore – Demokracisë së Re, Syriza-s dhe PASOK-ut socialist – tre ditë radhazi për të tentuar të formojnë një qeveri koalicioni. Nëse të gjitha dështojnë, Sakellaropoulou do të emërojë një qeveri të përkohshme për të përgatitur zgjedhjet e reja rreth një muaj më vonë. Kryeministri dhe lideri i Demokracisë së Re, Mitsotakis, i cili vazhdimisht ka shprehur dëshirën e tij për një qeveri të fortë njëpartiake, shprehu bindjen se ka marrë një mandat të qartë.