Parlament dydhomësh, Federalizim… Këto janë organizimet politike të cilët i shqyrton BDI dhe Fronti Europian
BDI po mendon për një organizim të ri shtetëror, konkretisht mekanizëm të ri politik për mbrojtjen e rrugës evropiane të vendit.
Pjesa më e madhe e anëtarëve të Kryesisë Qendrore të BDI-së kanë kërkuar që, meqenëse po thyhen parimet e Marrëveshjes së Ohrit, po devalvohet vullneti demokratik i shqiptarëve, po cënohet Marrëveshja e Prespës, po rrezikohet rruga evropiane e shtetit duke u kundërshtuar ndryshimet kushtetuese, atëherë Maqedonia e Veriut duhet t’i nënshtrohet një organizimi tjetër politik, shkruan gazeta KOHA.
Në BDI ka zëra që kërkojnë të shqyrtohen mekanizmat si Parlament dydhomësh, Federalizimi i shtetit, Konfederatë apo edhe procese tjera politike që mbrojnë demokracinë dhe rrugën e trasuar drejt Bashkimit Evropian.
Kulmi i pakënaqësisë, siç thonë në BDI, lshtë bashkimi VMRO-LSDM dhe e ndihmuar nga VLEN-i për t’ia marrë dy deputetë Frontit Europian, me qëllim që Fronti si parti e dyta më e madhe në shtet, të mos udhëheq me Komisionin Shtetëror Zgjedhor, me Komisionin parlamentar për financa, me Komisionin për Punë të Jashtme, me dy Komisionet që mbikëqyrin punën e shërbimeve sekret, me Komitetin për marrëdhënie ndëretnike…
“Shqetësimi më i madh është anulimi i mekanizmit të Badenterit dhe Balanserit, si dy mekanizma mbrojtës për të gjithçka që i tangon shqiptarët dhe etnitetet tjera në Maqedoninë e Veriut”, thonë në BDI. (koha.mk)