Maqedoni

Paralajmërohet rritje e rrogës minimale

Rritje të rrogës minimale pas Vitit të Ri paralajmërojnë nga Qeveria. Sindikatat konsiderojnë se kjo rritje e rrogës minimale është e domosdoshme, por edhe se më pas duhet të pasojë rritja spirale edhe e rrogave të tjera. Qëndrimi i tyre është se rroga minimale duhet të jetë së paku 60 për qind nga rroga mesatare. Punëdhënësit ndërkaq janë të qëndrimit se çdo rritje, siç theksojnë, artificiale e paharmonizuar, si kjo e paralajmëruara, vetëm do ta prishë baraspeshën në ekonomi. Janë të ndarë në vlerësimet se sa mund ta mirëmbajë biznesi rritjen e rrogës minimale.

I fundit, këtë javë që shkoi, mundësi të tillë për rritje të rrogës paralajmëroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Rroga minimale do të rritet në 18.000 denarë, pas Vitit të Ri. Rrogat nuk qëndrojnë. Në vitin 2016 mesatarja ishte 22.000-23.000 denarë, ndërsa tani është 28.820 denarë dhe do të rritet në vazhdimësi. Rritje të rrogave kemi edhe në arsim, shëndetësi, sektorin privat. vetëm rroga minimale është rritur për 100 për qind për katër vite, siç nuk është bërë me vite prapa”, deklaroi ministri Kreshnik Bekteshi.

LSM ka kërkesë që rroga minimale të jetë 60 për qind nga rroga mesatare, e me atë edhe rritje spirale të të gjitha rrogave të tjera në pajtim me marrëveshjet kolektive. Kjo është edhe një nga kërkesat të cilat do të paraqiten në protestën e nesër të Sindikatës.

Kërkesën për rrogën minimale dhe rritje spirale të rrogave të tjera, LSM e bazon në paralajmërimet për rritje të çmimit të rrymës nga janari dhe rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore.

Lidhja e sindikatave të Maqedonisë, thonë nga atje, në mënyrë të arsyeshme, gjatë periudhës së kaluar kërkoi që rroga minimale të jetë së paku në vlerë prej 60 për qind të rrogës mesatare, për shkak se as rroga mesatare e as dy rrogat minimale nuk mjaftojnë për ta mbuluar shportën minimale sindikaliste.

Nëse me intensitet të tillë vazhdon rritja e shpenzimeve për jetë dhe e çmimeve, theksojnë nga LSM, atëherë as tre rroga minimale nuk do të mjaftonin për ta arritur rritjen e Shportës minimale sindikaliste.

Qëndrimi i punëdhënësve nga Organizata e punëdhënësve të Maqedonisë (OPM) në pikëpamje të rritjes së paralajmëruar të rrogës minimale është se obligimi ligjor për këtë vit dhe harmonizimet e rrogës minimale në pajtim me kriteret në Ligjin për rrogën minimale është përmbushur. Në pajtim me atë, theksojnë nga atje, nuk ekziston mundësi për çfarëdo lloj korrigjimi në pjesën e rrogës minimale për këtë vit.

Nga OPM konsiderojnë se shuma e rrogës minimale po negociohet dhe rritja e saj varet mu nga neni 4 i Ligjit për rrogën minimale i cili i definon kushtet për definim të rrogës minimale, e ajo është se një e treta e rritjes së rrogës së paguar mesatare në vend, një e treta e rritjes së indeksit të shpenzimeve për jetë dhe një e treta e rritjes reale të bruto prodhimit vendor, për vitin paraprak, sipas të dhënave të Entit shtetëror të statistikave.

Në Konfederatën e biznesit të Maqedonisë së Veriut janë të ndarë për atë se sa biznesi mund ta përballojë rritjen e paralajmëruar të rrogave.

“Ne jemi të ndarë në vlerësimin se sa biznesi mund ta përballojë rritjen e rrogës minimale sepse në struktura të ndryshme të ekonomisë disa nga kompanitë kooropruese menaxhuese mund ta përballojnë rritjen e rrogës minimale, përkatësisht paguajnë më shumë nga rroga minimale, megjithatë konsideroj se ushtruesit mikro, të vegjël dhe të pavarur të veprimtarisë të cilët gjithashtu i përfshin ligji për marrëdhënie pune dhe ligji për rrogë minimale, do të duhet ta gjejnë mënyrën si të notojnë në përmbushjen e obligimeve ligjore lidhur me rrogën minimale”, theksoi kryetari i Konfederatës së biznesit, Mile Boshkov.

Rrogën minimale e vendosi Qeveria e VMRO-DPMNE-së në janar të vitit 2012, kur ishte miratuar Ligji për rrogë minimale. Atëherë rroga minimale ishte 8.050 denarë, përveç për industrinë e tekstilit dhe të lëkurës, sektorë në të cilët kjo shumë ishte arritur në vitin 2015.

Rroga e fundit e konfirmuar ligjore minimale ishte në vitin 2019, kur ishte konfirmuar në 14.500 denarë. Ndërkohë me harmonizimin me shpenzimet për jetë ajo u rrit në rreth 15 mijë denarë.

Vlera e rrogës minimale në vitin 2019 ishte harmonizuar pas negociimit disamujor përmes dialogut social me të gjithë partnerët social, në marrëveshje edhe me sindikatat dhe punëdhënësit.