May 3, 2024
Shqipëri

Paradite doktoreshë, pasdite fermere, mjekja shqiptare pa komplekse (Video)

“Sa më shumë i njoh njerëzit, aq më shumë e dua qenin tim” -thonte shkrimtari i njohur Mark Twain, por për doktoreshën Midjana Hoçja dashuria dhe detyrimi ndaj njerëzve është po aq e fortë sa ajo për kafshët. Paradite ajo vesh përparësen e bardhë të mjekes për të shpëtuar jetë njerëzish, ndërsa pasdite vjen në fermën e saj për t’u kujdesur për lopët.

“Kam investuar gjithë jetën time për t’u bërë një mjeke e mirë. Unë besoj se sot është koha që të gjithë të kthehemi te toka dhe blegtoria sepse ato janë baza e gjithçkaje dhe e shëndetit.”-shprehet ajo në një intervistë për “Top Chanel”

Para një viti në fermën e saj kishte 11 kokë lopë, ndërsa sot numërohen 30, kurse të ardhmen Midjana thotë se ajo do të ketë fermën më të madhe në Shqipëri.

“Synimi im është që këtë stallë ta nis dhe ta bëj sa më të madhe duke ngritur një fermë bashkëkohore me 300 kokë lopë.”-vijon ajo. Momentalisht Industria e Përpunimit të Qumështit, furnizohet me qumështin që vjen nga Serbia, pasi fermerët i kanë braktisur stallat e tyre. Që të hamë produkte ushqimore cilësore, duhet që të mbështesim ata të rinj që kanë ëndrra të mëdha.