Panairi i karrierës, nën organizim të Universitetit “Nënë Tereza”
Universiteti “Nëna Tereza” në Shkup organizoi panairin e tretë të karrierës. Mbi 25 kompani private kanë marrë pjesë në këtë panair.
Rektori i UNT-së, Izet Zeqiri, theksoi se bashkëpunimi mes Qeverisë, akademisë dhe bashkësisë së biznesit duhet të funksionojë, sepse është në interes të përbashkët që ta parandalojmë shpërnguljen e të rinjve jashtë vendit, tha ai.
“Ideja e organizimit të këtij panairi është që të vendosen kontaktet e para mes punëdhënësve dhe punonjësve potencialë, ndërsa në anën tjetër edhe kontaktet mes kompanive dhe studentëve tanë, absolventëve tanë, por jo vetëm absolventëve edhe studentëve që mund edhe të studiojnë edhe të punojnë.”, – deklaroi rektori në UNT, Izet Zeqiri.
“Kemi nevojë që këto kuadro që dalin nga ky tempull i dijes të marrin praktikën dhe ne si biznes kemi nevojë kohëve të fundit për shumë kuadro dhe për fat të keq pjesa më e mirë e kuadrove po na largohen nga vendi dhe duhet të jemi ne që duhet të marrim masa, Ju si universitet, ne si biznes, por pa lënë anash institucionet shtetërore.”, – theksoi kryetari i OEMVP-së, Mendi Qyra.
Përfaqësuesit e kompanive private shfaqin interesim të madh për të punësuar studentët nëpër kompanitë e tyre.
“Ne funksionojmë në atë mënyrë që studentët të mbarojnë për një vit tek ne dhe pastaj janë të certifikuar, e kanë diplomën me vete dhe mundet menjëherë të punësohen dhe të hyjnë nëpër vende të punës.”, – u shpreh Donika Shehu.
“Në qershor do të hapim thirrjen për punë praktike ku studentët mund të aplikojnë dhe ne e bëjmë lidhjen e studentëve me kompaninë që ata të kryejnë punën praktike në kompani.”, – deklaroi menaxherja në Fondacionin “Albiz”, Nazlije Kurtishi.
“Na duhen menaxherë të transportit dhe deklarues doganor, të cilët punojnë në pikat kufitare në shërbimin e shpedicionit, po ashtu edhe shoferë të maunave të kamionëve.”, – theksoi Isni Bajrami nga Kompania “Dauti Transport Shped”.
“Si kompani ofron për të gjithë studentët, është mirë të mos largohen prej vendit, të punojmë këtu të luftojmë në vendin tonë, ofron në sektorin e shitjes që është interesimi shumë i madh.”, – thanë nga Kompania “Alma-M”.
Kryetari i Konfederatës së biznesit tha se është e domosdoshme që studentët t’i hulumtojnë kompanitë që të dinë se kush është më e mira për ta, duke theksuar se jashtëzakonisht e rëndësishme është që studentët të mësojnë dhe punojnë në vend./TVM2