May 15, 2024
Rajon - Botë

Pamje të rënda, ish-ministri i Financave në Kazakistan e rrah për vdekje bashkëshorten e tij

Një fund i tmerrshëm. E tillë ka rezultuar për gruan e një ish-ministri në Kazakistan para se të dorëzohej pas plagëve që i janë shkaktuar nga rrahja barbare, ndërsa autor është pikërisht bashkëshorti i saj. 31-vjeçarja Saltanat Nukenova u rrah brutalisht nga 43-vjeçari Kyaduk Bishibayev, i cili shërbeu si ministër i Financave të vendit nga maji 2016 deri në fund të të njëjtit vit.

Sipas Daily Mail, gjyqi i Bishibayev është gjyqi i parë i vrasjes në vend që transmetohet në internet, pasi vdekja tragjike e 31-vjeçares shkaktoi një reagim zinxhir në ish-republikën sovjetike, me mijëra njerëz që nënshkruan peticionet për të ashpërsuar ligjin ndaj dhunës në familje.

Bishibayev, i cili përballet me 20 vjet burg, fillimisht kishte pohuar në gjykatë se gruaja e tij vdiq nga plagët e vetëshkaktuara më 9 nëntor të vitit të kaluar. Megjithatë, pamjet e kapura nga kamerat në një restorant në pronësi të një të afërmi të tij rrëzojnë pretendimet e tij. Ai shfaqet duke goditur pa mëshirë me grushte dhe shkelma gruan dy orë para vdekjes së saj.