Shqipëri

Pakti i PS me Rithemelimin, reagojnë ndërkombëtarët: Inkurajojmë deputetët të vazhdojnë të tregojnë përkushtim ndaj demokracisë

Në lidhje me Marrëveshjen e Konferencës së Kryetarëve për rikthimin e rendit normal në Parlament kanë reaguar ndërkombëtarët, përkatësisht ambasadat.

Ambasada Amerikane në një postim në “X” mirëpret këtë vendim, teksa inkurajon deputetët për një përkushtim ndaj demokracisë.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë mirëpret marrëveshjen e Konferencës së Kryetarëve për rikthimin e rendit normal në Parlament. Ne inkurajojmë deputetët që të vazhdojnë të tregojnë një përkushtim ndaj demokracisë në të mirë të popullit shqiptar“, shkruan Ambasada Amerikane në “X”.

Në lidhje me këtë vendim ka reaguar edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili vlerëson përgjegjësinë e treguar nga palët në arritjen e marrëveshjes.

“Përshëndes vendimin e sotëm të konferencës së kryetarëve, i cili bën të mundur rifillimin e funksionimit normal të parlamentit dhe vlerësoj lidershipin dhe përgjegjësinë e treguar nga palët në arritjen e marrëveshjes”, shkruan ambasadori i BE-së.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Alastair King-Smith, në “X” shkruan se është i kënaqur për këtë progres që u arrit.

“E di që kompromiset politike janë të vështira dhe kërkojnë guxim dhe vendosmëri. I kënaqur që shoh progresin e vazhdueshëm sot drejt kthimit të një parlamenti normal, funksional, i cili është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe perspektivës së ardhshme të Shqipërisë”, shkruan ambasadori Mbretërisë së Bashkuar Alastair King-Smith.

Ambasada Gjermane në postimin e saj në Facebook, shkruan se arritja e Marrëveshjes Konferencës së Kryetarëve është një shenjë inkurajuese për procesin demokratik.

“Ambasada Gjermane mirëpret marrëveshjen për rifillimin e aktivitetit konstruktiv të Kuvendit me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve politike të përfaqësuara. Kjo është një shenjë inkurajuese për procesin demokratik dhe për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Qytetarët/et me të drejtë presin që parlamenti i tyre të bëjë të mundur, që shkëmbimi dhe gara e ideve të ndryshme të zhvillohen paqësisht dhe në përputhje me rregullat. Vetëm në këtë mënyrë Parlamenti mund të përmbushë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në interes të qytetarëve të përfaqësuar nga deputetët”, shkruan Ambasada Amerikane.