Padurimi i modernizmit tonë patetik
Shkruan: Arbër Çeliku
Gjatë kohës time si student në Gjermani, përballë banesës time në Heidelberg jetonte një familje serbe, e cila kishte një djalë të vogël. Ai ishte shoqëruar në shkollë me një djalë shqiptar dhe një ditë i kishte rrëshqitur pa dashur nga goja një fjalë shqipe në shtëpi, gjë që shkaktoi një tërmet të madh në familjen përballë. I ati i bërtiste, duke i thënë: “Po të dëgjova edhe një herë të flasësh qoftë edhe një fjalë të vetme shqip, ta pres gjuhën!”.
Në vitin 2008 isha bursist i Institutit për shkencat e njeriut (IWM) në Vjenë, ku dominonin të rinjtë serbë, kurse unë isha i vetmi shqiptar, ndoshta për dekadën e fundit. Ata gjatë think-tank-eve, debateve dhe forumeve me politikanë evropianë, që ftoheshin në vazhdimësi nga Instituti në fjalë, po udhëhiqnin një propagandë të paparë ndaj nesh shqiptarëve, sa mua për atë periudhë 3- mujore sa isha aty, m’u desh të shkumohesha nga lufta e debatit për ta mbrojtur popullin tim dhe çështjen e Kosovës.
Gjatë ligjeratave të mia ndërkombëtare në Evropë e SHBA kam pasur sulme të papara nga studentët serbë, por gjithmonë kam rezistuar i paepur duke mbrojtur me argumente të qëndrueshme të drejtën natyrore të popullit tim.
Tendenca e sotme e jona, e nxitur nga Shqiperia, për t’u pajtuar me Serbinë, nuk është asgjë tjetër përpos një modernizëm i stisur, bajat dhe patetik. Ata nuk e duan gjuhën tonë, kulturën, artin, muzikën. Kur psh. ka kënduar ndonjë shqiptar në Beograd apo gjetkë në Serbi?! Ata ende në perceptimin e tyre na shohin neve si njerëz me bisht.
Paqedashuria nuk dëshmohet me servilizëm, por me dinjitet. Çdo tendencë tjetër është thjesht një padurueshmëri e një modernizmi tonë kuturu, të paqëndrueshëm dhe bajat, i cili koston do ta ketë të madhe për ekzistencën tonë dhe mirëqenien e gjeneratave të reja.