Maqedoni

Pa certifikatë vaksinimi, nuk mund të jeni pjesë e ngjarjeve publike

Pa certifikatën e vaksinimit kundër Kovid19, qytetarët nuk do të mund të bëhen pjesë e ngjarjeve të ndryshme në ambiente të mbyllura. Në kinema, ngjarje kulturore, e të ngjashme do të mund të hyjnë vetëm ata të cilët janë të imunizuar kundër Kovid19. Kjo parashihet të jetë masa shtrënguese e radhës e cila do të hynte në fuqi në vjeshtë, si parandalim kundër përhapjes së virusit dhe si nxitje për vaksinim masiv.

“Jemi të vetëdijshëm se ndoshta edhe përskaj asaj që bëjmë nuk do të rritet interesimi për vaksinim, prandaj mendojmë vendosjen e masave. Për fat të keq, vaksinimi nuk mund të jetë i detyrueshëm. Askund në botë nuk është, prandaj patjetër të mendojmë për zgjidhje të tjera alternative, si për shembull të merret pjesë nëpër ngjarje masive, qoftë jashtë apo në kinema, ngjarje kulturore vetëm me certifikata vaksinimi, dhe kjo mund të rekomandohet si masë në muajt e vjeshtës – deklaroi Venko Filipce, Ministër i Shëndetësisë.

Vaksinimi në terren si dhe nëpër institucione shëndetësore vazhdon të vijojë.

Analizat tona tregojnë se përqindja e personelit mjekësor të vaksinuar është i lartë diku rreth 85% . I presim analizat për përqindjen e vaksinimit të të punësuarve nëpër shkolla dhe çerdhe me qëllim që të kemi ndonjë fare parashikimi apo eventualisht apele shtesë, derisa përfshirja në vaksinim nuk është e kënaqshme që të munden edhe shkollat edhe çerdhet në vjeshtë të fillojnë të punojnë normalisht – u shpreh Venko Filipce, Ministër i Shëndetësisë.

Sa i përket rritjes së rasteve pozitive në qytetin e Tetovës si pasojë e grumbullimeve dhe dasmave, FIlipce tha se nuk mendohet për ndonjë masë shtrënguese në bazë lokale, apo eventualisht ndonjë karantinë të qytetit të Tetovës. Sipas tij, vetëdija e qytetarëve duhet të jetë prioritare në mbrojtjen individuale dhe kolektive. Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar 18 raste të reja me Kovid19. 11 në Shkup, 6 në Tetovë dhe 1 rast në Sveti Nikolle.