April 26, 2024
Kosovë

Osmani: Strukturat ilegale të Serbisë ndikuan në zgjedhjet komunale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të hënë deklaroi se strukturat ilegale të Serbisë, kanë ndikuar në garen për zgjedhje në komunat e banuara me serbë në Kosovë.

Këtë deklaratë, Osmani e bëri gjatë një takimi me delegacionin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian.

Sipas saj, ky ndikim, ka cënuar garen në mes të subjekteve politike dhe shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve.

Lista Serbe, e cila mban lidhje të afërta me strukturat qeveritare të Serbisë, ka fituar në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.

Ajo është partia që fitoi më shumë komuna në zgjedhjet lokale të Kosovës.

Në anën tjetër, sipas një njoftimi nga zyra e presidentes Osmani, delegacioni i BE-së e vlerësoi procesin e zgjedhjeve si një proces demokratik, i karakterizuar me një profesionalizëm dhe integritet të lartë të institucioneve, por edhe të vet qytetarëve të Kosovës.

Sipas rezultateve preliminare, në zgjedhjet lokale në Kosovë, në në raundin e parë janë zgjedhur kryetarët e 17 komunave, ndërkaq në balotazh do të shkojnë 21 komuna.

Partia në pushtet, pavarësisht se në raundin e parë nuk ka fituar asnjë komunë, Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka fituar më së shumti vota për asamblenë komunale në zgjedhjet e 17 tetorit. Sipas rezultateve preliminare, me një diferencë prej 0.15%, e dyta vjen Lidhja Demokratike e Kosovës me 20.41% të votave.

LVV do të garojë në balotazh në 12 komuna.