Osmani nga Kumanova: Të zgjedhim integrimin, e jo izolimin!
Me moton “Po Evropës – Jo Rusisë”, karvani i “Frontit Evropian”, mbrëmë zbarkoi në Kumanovë, në kuadër të Zgjedhjeve presidenciale. Kandidati presidencial i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, para të pranishmëve shpalosi arsyet se përse është dashur të formohet “Fronti Evropian” dhe se sa të rëndësishme janë këto zgjedhje për vendin tonë, pasi siç tha Osmani, votuesi është ai që përmes votës së tij përcakton të ardhmen e vendit dhe zgjedhë mes Integrimit apo Izolimit.
“Këto zgjedhje nuk janë zgjedhje mes partive dhe kandidatëve, por është betejë ndërmjet dy vizioneve, vizionit të Integrimit dhe vizionit të Izolimit. “Fronti Evropian” është risia më e madhe e këtyre zgjedhjeve, rëndësinë e së cilës do ta kuptojmë në të ardhmen për shkak se “Fronti Evropian” sot vetëm nismën e ka, është projekt afatgjatë që planifikojmë të funksionojë për zgjedhjet lokale, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare për shumë e shumë projekte e misione. Këto zgjedhje do të vendosin më 24 Prill. 8 Maji do të jetë vetëm korrja e fitores, do të jetë festa e fitores dhe suksesit.”, – deklaroi kandidati për president nga “Fronti Evropian”, Bujar Osmani.
Ai gjithashtu nënvizoi se “Fronti Evropian” është një nismë dhe projekt afatgjat. Osmani para kumanovarëve shpalosi edhe pjesë e zotime nga Dekalogu i presidentit evropian që përmban 10 pika e zotime.