Kosovë

Osmani me ambasadorët e huaj bëjnë homazhe te memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorë të akredituar të shteteve aleate, kanë bërë homazhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, në 25-vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s.

Presidentja Osmani ka thënë se 24 marsi i vitit 1999 ishte ditë të shpresës së madhe për Kosovën, duke përkujtuar nisjen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore e ushtarake në ish-Jugosllavi.

“Për herë të parë, aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës nga regjimi i atëhershëm gjenocodal i Millosheviqit, dhe së bashku me shumë e shumë shtete të tjera partnere arritëm që Kosova më në fund të bëhet e lirë”.

Ajo i ka bërë këto deklarata pasi ka kryer homazhe te memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, i cili gjendet te Sheshi “Nëna Terezë” në Prishtinë, së bashku me ambasadorë të vendeve perëndimore në Kosovë.

“Kjo ditë e shpresës së madhe është shndërruar në një partneritet të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe botës demokratike, aleanca që edhe sot vazhdojnë”.

Osmani e ka falënderuar secilin ushtar të NATO-s që, siç ka thënë ajo, e kanë rrezikuar jetën e tyre “në mënyrë që ta shpëtojnë tonën”.

“Dua t’i falënderoj të gjithë liderët e botës demokratike që nuk i mbyllën sytë para vuajtjeve të popullit të Kosovës, por na dolën zot, na erdhën në shpëtim dhe edhe sot qëndrojnë pranë nesh, përderisa punojmë bashkërisht që Kosova e sotme të jetë Kosovë që do t’i bëjë, jo vetëm qytetarët, por edhe miqtë e saj, që të mburren me sukseset në zhvillimin e demokracisë”, ka theksuar Osmani.