OSBE/ODIHR shpalosi misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Maqedoni me 320 vëzhgues
Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) hapi sot misionin vëzhgues në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill dhe zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 8 maj.
Në konferencën e sotme për shtyp në Shkup, shefja e misionit, ambasadorja kanadeze Gillian Stark, theksoi se këto janë zgjedhjet e 22-ta në Maqedoninë e Veriut që ODIHR do të vëzhgojë.
“ODIHR punon në përputhje me metodologjinë e vendosur për vëzhgimin e zgjedhjeve.Ne jemi plotësisht të paanshëm dhe të bazuar në fakte. Në kuadër të misionit do të bëhet një vlerësim nëse zgjedhjet janë në përputhje me angazhimet ndaj OSBE-së dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare, si dhe me legjislacionin kombëtar. Ne kemi një ekip kyç prej 12 ekspertësh ndërkombëtarë në Shkup nga 12 vende pjesëmarrëse të OSBE-së. Është një grup shumë i larmishëm. Ne do të jemi në vend si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare dhe do të largohemi më 19 maj”, tha ambasadorja Stark.
Përveç ekipit kryesor, do të jetë edhe një grup vëzhguesish afatgjatë, gjithsej 20 persona, të cilët do të dislokohen në mbarë vendin në ekipe nga dy në Tetovë, Ohër, Manastir, Prilep, Strumicë, Koçan, Kumanovë dhe Shtip, kurse në Shkup do të jenë dy skuadra.
“Kemi kërkuar edhe 300 vëzhgues afatshkurtër të cilët duhet të vijnë menjëherë para zgjedhjeve. Pak ditë para zgjedhjeve ata do të shkojnë në qendrat e votimit, do të vëzhgojnë votuesit dhe procesin e numërimit të votave dhe përmbledhjes së rezultateve. Ato do të vijnë pak para zgjedhjeve, 24 prill dhe 8 maj, shtoi ambasadorja Stark.
Për sa i përket faktit nëse numri i vëzhguesve është rritur realisht dhe nëse kanë njohuri se priten konflikte, shefja e misionit Stark theksoi se numri i vëzhguesve është bazuar në rekomandimet e misionit të vlerësimit të nevojave pas vizitës në janar të këtij viti.
“Janë dy lloje zgjedhjesh që zhvillohen në të njëjtën ditë, kështu që nuk është e pazakontë të kemi një numër të madh vëzhguesish dhe ne kërkojmë një numër të madh vëzhguesish për të dyja llojet e zgjedhjeve. Siç thashë, kjo bazohet në rekomandimet e misionit të vlerësimit të nevojave, thotë kreu i misionit vëzhgues, ambasadorja Stark.(INA)