Maqedoni

OSBE-ODIHR hap misionin mbikëqyrës, në zgjedhje do të angazhohen 320 vëzhgues

Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), nga 21 marsi hapi misionin vëzhgues të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. OSBE-ja do t’i mbikëqyr dy palë zgjedhje me 12 ekspertë ndërkombëtarë që vijnë nga 12 vendet pjesëmarrëse të OSBE-së, 20 persona me mision mbikëqyrës afatgjatë të shpërndarë në tërë territorin e vendit dhe 300 mbikëqyrës afatshkurtër të cilët duhet të arrijnë para zgjedhjeve. Shefja e misionit të OSBE-ODIHR-it pret që zgjedhjet të vijojnë sipas standardeve demokratike.

“Kemi shumë punë para nesh, kemi edhe afatshkurta, veçanërisht për shkak të ditës së zgjedhjeve kur do të ketë dy lloje zgjedhjesh. Gjatë procesit të zgjedhjeve do ta vizitojmë tërë vendin. Numri i mbikëqyrësve caktohet në bazë të porosive nga misioni i vlerësimit të nevojave dhe nuk është e pazakontë të kemi numër të madh të mbikëqyrësve. Ne kërkuam edhe treqind vëzhgues afatshkurtër që do të duhet të arrijnë disa ditë para zgjedhjeve dhe do ta vëzhgojnë procesin e numërimit të votave dhe grumbullimin e rezultateve. Ne po ashtu do të kemi komunikim me të gjitha institucionet e kyçura në procesin zgjedhor, partitë politike dhe shoqërinë civile.”, – theksoi shefja e misionit të ODIHR-it, Xhillian Shtirk.

Zyra e OSBE-së dhe ODIHR-it prezantoi edhe aktivitetet tjera të planifikuara për zgjedhjet. Do të ketë raport preliminar dhe raport përfundimtar. Realizimi i zgjedhjeve, respektimi i Kodit Zgjedhor, mbulimi mediatik, dënimet për ata që shkelin ligjet, fushata dhe financimi janë pikat që do të përfshihen në raportet e OSBE-së mbi ecurinë e zgjedhjeve. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, ndërsa fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.