Maqedoni

Orhan Kurtishi nga Alternativa kërkon të dënohet polici nga Kumanova që publikoi hartën e Serbisë mbi Kosovën

Orhan Kurtishi nga partia Alternativa ka reaguar pasi një pjesëtar i MPB-së nga Kumanova, në rrjetet sociale ka publikuar flamurin e Serbisë mbi territorin e Kosovës.
Kurtishi, këtë veprim e cilëson si mungesë të profesionalizimit por edhe si urrejtje ndaj shqiptarëve.
Për këtë veprim ai kërkon që policia të merr masa adekuate.
“Polici nga Kumanova, i cili mbrëmë në profilin e tij personal e publikoi flamurin e Serbisë mbi territorin e Kosovës ishte provokimi i radhës nga një pjesëtar i MPB-së. Kështu kuptohet qartazi mungesa e profesionalizmit të policisë, por edhe urrejtjes ndaj shqiptarëve, në përgjithësi.
Prandaj, kërkojmë nga Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Kriminale dhe Standardeve Profesionale që të reagojnë menjëherë dhe të shqiptojnë masë adekuate për këtë lloj provokimi.
Njëherit e dënojmë çdo lloj provokimi mbi baza nacionale dhe bëjmë thirrje për maturi e kujdes!”, ka shkruar Kurtishi nga Alternativa.