Opozita: Projeksioni i buxhetit për vitin e ardhshëm, nuk është real
Debati parlamentar për buxhetin e vitit të ardhshëm i afrohet fundit. Opozita vazhdon të mendojë se shteti nuk do të ketë të ardhura të mjaftueshme për realizim të projeksioneve dhe se si pasojë, investimet kapitale mbeten të premtuara dhe të parealizuara.
“Secili nga ne ka familje dhe miq të cilët janë shpërngulur nga shteti. Një familje, me një individ më pak nënkupton se ajo familje do të blejë më pak bukë, më pak qumësht, as lokalet s’mund të punojnë pa njerëz… Nga cila ekonomi mendoni të thithni 5 miliardë në buxhet që ai të jetë ashtu si e propozon Fatmiri”, deklaroi Lupço Prenxhov, koalicioni i drejtuar nga VMRO-DPMNE.
Ky vlerësim i opozitës nuk është i pranueshëm për pushtetin.
“Ky është projektim i buxhetit për vitin e ardhshëm. Më tej gjatë vitit të ardhshëm do të diskutojmë se sa është realizuar. Sidoqoftë, ne kemi numër rekord të investimeve kapitale. Përmendët shpërnguljen e të rinjve. E dini se kur më shumë janë shpërngulur të rinjtë? E dini si shpërnguleshin kur ju ishin në pushtet njerëzit të cilët ua mbështesni politikat? Unë e di se familja ime është shpërngulur në atë kohë, sepse rrogat ishin të ulëta, ishin të nënçmuar dhe të shkelur”, tha Belkisa Zeqiri, LSDM.
Të hyrat e përgjithshme të Buxhetit për vitin 2023 janë planifikuar në nivel prej 282,1 miliardë denarë ose 14,8 për qind më të larta se në vitin 2022. Shpenzimet e planifikuara për vitin e ardhshëm janë 324,8 miliardë denarë ose 12,6 për qind më shumë se në vitin 2022. Deficiti buxhetor është 4.6% nga Prodhimi Bruto Vendor i planifikuar ose 42.7 miliardë denarë.
Buxheti për vitin 2023
282.1 miliardë denarë – Të hyrat e përgjithshme
324.8 miliardë denarë – Shpenzimet nga buxheti
42.7 miliardë denarë – Deficiti buxhetor
Qeveria pret stabilizim në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në treg në gjysmën e dytë të vitit që vjen. /Alsat.mk