Opozita do të mbështesë Ligjin për pagën minimale, por do të kërkojë dhe rritjen e pagave të tjera
Ndryshimet në Ligjin për pagë minimale do të miratohen me procedurë të shkurtuar. Me 101 vota pro dhe asnjë kundër, deputetët dhanë dritë jeshile që ndryshimet të shkojnë në debat në komision. Partitë opozitare do të mbështesin projektligjin, por do të paraqesin amendamente dhe do kërkojnë rritje edhe të pagave tjera.
Grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së do të kërkojë rritje të pagave të tjera në sektorin publik në përputhje me rritjen e pagës minimale.
“Kur të fillojë debati në komision ne do të ndërhyjmë me amendamente, siç e kemi paralajmëruar, duam të bëjmë një ndërhyrje në nenin 8, ku do të harmonizojmë kërkesat e punëtorëve dhe sindikatave përfaqësuese dhe për harmonizim gradual të pagave të tjera”, deklaroi Bojan Stojanoski- deputet i VMRO-së.
Për momentin nuk ka konfirmim nga deputetët e shumicës nëse do t’i mbështesin amendamentet e paralajmëruara. Thonë se ka marrëveshje kolektive me të cilat gjithsesi duhet të rriten gradualisht pagat.
“Rritja graduale në marrëveshjet kolektive, ka një nen sipas të cilit pika përcaktohet sipas pagës minimale. Gjithsesi që do të respektohen marrëveshjet kolektive”, tha Daniela Koleva- deputete e LSDM-së.
Për ndryshimet në Ligjin për pagën minimale tre ditë do të debatohet në Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale. Pas miratimit të ligjit, paga minimale nga prilli do të jetë 18 mijë denarë, ndërsa do të ndryshojë edhe metodologjia për llogaritjen e pagës minimale në baza vjetore./Alsat.mk