Opozita: BDI-ja s’do ndryshime kushtetuese, kërkon të ruajë kapitalin illegal
BDI-ja është tërhequr nga ndryshimet kushtetuese, vlerësojnë nga fronti opozitar, duke shtuar se partia shqiptare në pushtet, ka prioritet të ruaj pozitën e saj edhe pas zgjedhjeve. Ata thanë se pushteti është dashur ta njoftojë presidenten e Komisionit Evropian Ursula Fon Der Lajen, gjatë vizitës së saj një ditë më parë, për planet e BDI-së me Gruevskin, politikanin që dikur e largoi vendin nga BE-ja.
“A i shpjeguat se në fakt, BDI-ja është tërhequr nga ndryshimet kushtetuese? A i thatë se fokus i vetëm i BDI-së është të bëjë përpjekje që përmes kthimit të Gruevskit të bëjë pazar me VMRO-DPMNE-në ku do të sjell në tryezë edhe deputetët e LSDM-së? A e mori vesh zonja Fon Der Lajen se BDI-ja po kërkon një qeveri të zgjeruar pas zgjedhjeve parlamentare për të ruajtur kapitalin e fituar ilegalisht”, tha Bashkim Asani, Lëvizja Demokratike, Fronti opozitar.
Fronti opozitar mbetet i hapur për bashkëpunim me Aleancën për Shqiptarët, përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Deri tani thonë se s’ka pasur takime për në këtë drejtim, me partinë e Arben Taravarit.
“Ftesë ka pasur, edhe publike edhe zyrtare nga Fronti për bashkëpunim, por takime jo, nuk ka pasur. Interesim, sa i shoh strukturat dhe aktivistët e tyre, interesimi është i madh”, deklaroi Bashkim Asani, Lëvizja Demokratike, Fronti opozitar.
Fronti opozitar i përbërë nga Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike do të garojë si koalicion në zgjedhjet e ardhshme, përfshirë edhe në ato presidenciale, me kandidatin e tyre të përbashkët. /Alsat.mk