May 2, 2024
Rajon - Botë

OKB: Nëntë në dhjetë persona në Gaza nuk ushqehen çdo ditë

Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se gjysma e popullsisë së Gazës është e uritur dhe nëntë në dhjetë njerëz atje nuk mund të hanë çdo ditë.

Mungesa e ushqimeve thellohet më shumë me intensifikimin e bombardimeve izraelite. Grupet e ndihmës të OKB-së thonë se Gaza përballet me një situatë humanitare “apokaliptike” dhe është në prag të pushtimit nga sëmundjet dhe uria.

Drejtori i një spitali në Khan Younis, në jug të Gazës, i tha BBC-së se stafi i tij nuk po arrin më të numërojë viktimat dhe të plagosurit që vijnë në spital.

Aty pranë spitalit në lagjen Jabalia, qytetarët kanë hapur vetë gropa masive dhe burrat thotë AFP-ja janë angazhuar vetë për të varrosur shumë trupa të mbetur rrugëve

Qyteti Khan Younis është rrethuar nga tanket izraelite nga të dyja anët; Ushtria izraelite thotë se po lufton shtëpi më shtëpi, ndërsa konfirmoi vdekjen e një pengu izraelit. Nga ana e saj edhe militantët e Hamasit i janë përgjigjur sulmeve.

Organizata e Kombeve të Bashkuara konfirmoi zhvendosjen e rreth 1.9 milionë nga 2.4 milionë banorët e Gazës janë zhvendosur. Të bllokuar brenda territorit të ngushtë, ata e kanë kthyer pikën kufitare me Egjiptin, Rafah në një kamp të gjerë. Zyrtarët e Hamasit në Gaza thonë se Izraeli ka vrarë më shumë se 17,700 njerëz, duke përfshirë më shumë se 7,000 fëmijë.