OJQ-të reagojnë ndaj qëndrimit të Pecakovit rreth plazheve të Ohrit
Deklarata e fundit e kryetarit të ri të Ohrit, Kirill Pecakov, se në plazhet e Ohrit nuk ka ndërtime pa leje dhe se ato do të jepen sërish me koncesion, ka hasur në reagime të ashpra të OJQ-ve, dhe pushtetit qendror. Të gjithë reagojnë ndaj deklaratës së mëposhtme:
“Si ishin ndërtimet pa leje? Nuk janë ndërtim pa leje. Nuk bëhet fjalë për ndërtime pa leje. Këto janë projekte në bazë të të cilave janë lëshuar me koncesion plazhet, dhe vetëqeverisja lokale e mëparshme, duke përfshirë edhe pushtetin qendror nga viti 2017, dhe disa nga viti 2016 nuk kanë gjetur zgjidhje për to”, deklaroi Kirill Pecakov-Kryetar i Ohrit.
Organizata joqeveritare “Ohrid SOS” thotë se këto objekte jo vetëm që janë ndërtime pa leje, por një pjesë e tyre edhe zyrtarisht janë përfshirë në Regjistrin e ndërtimeve pa leje të përgatitur nga Komuna e Ohrit.
“Kjo deklaratë është shumë për të ardhur keq, na e kujton Ramiz Merkon. Dmth Ohri e fiton Ramiz Merkon e tij…”, tha Dragana Velkoska-aktiviste civile në “Ohrid SOS”.
Nuk mund të kthehen koncesionet, sepse nuk ka koncesione, dhe kontratat kanë skaduar prej vitesh, pohon Vellkoska.
“Të thuash që nuk janë ndërtime pa leje, ndërtesa të forta betoni me dritare, të cilat janë ndërtuar në një brez të mbrojtur prej 50 metrash, është vërtet çmenduri…”, u shpreh Dragana Velkoska-aktiviste civile në “Ohrid SOS”.
Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thonë se për momentin është duke u përgatitur Plani Urbanistik, për bregun e liqenit, me qëllim ndalimin e uzurpimit dhe mbrojtjen e tij në përputhje me rekomandimet e UNESCO-s.
“Ne nuk do të lejojmë që brenda natës të shkatërrohen të mirat, që u ndërtuan në vitet e kaluara dhe me të cilat arritëm të heqim Ohrin dhe bregun e Ohrit nga Lista e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në rrezik”, njoftojnë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Nga Ministria apelojnë tek vetëqeverisja e re lokale në Ohër, që të punojnë së bashku për mbrojtjen e rajonit. Ndryshe, komuna e Ohrit në pranverë dhe verë ka rrënuar shumicën e lokaleve të plazheve dhe disa objekte më të vogla. Një pjesë u mbyllën dhe mbetën pa energji elektrike, dhe menaxhimin e plazheve e mori pushteti vendor./Alsat.mk