Maqedoni

OEMVP-ja do të kërkojë masa të reja nga Qeveria, Iseni: Pozita e Bytyqit, shpresë që kërkesat do të aprovohen

Pandemia me Kovid-19 la pasoja në sektorin e biznesit, madje shumë kompani pësuan humbje. Qeveria reflektoi me pako masash për të zbutur efektet negative nga kriza e pandemisë, me qëllim shpëtimin e bizneseve dhe ruajtjen e vendeve të punës.

“Ne jemi një nga vende e vetme në Ballkanin Perëndimor i cili në vazhdimësi ka sjellë masa për shpëtimin e biznesit, them i vetmi sepse i sollëm masat në çdo 3 muaj, duke ndjekur tendencat në ekonomi, u përgjigjëm vërtet në kohë me masat. Dhe e dyta që vlerësoj se duhet të mos na dëshpërojë është se arritëm të ruajmë diku përafërsisht 80 mijë vende të punës, që për ne ishte imperativ të ruajmë vendet e punës, sepse në fund doli që pa ndihmën e cila u dha përmes masave të ndryshme diku pritjet ishin se 80 mijë vendet e punës do të ishin të humbura”, tha Bytyqi.

Po nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore paralajmërojnë se do të vazhdojnë komunikimin me qeverinë për masa dhe kërkesa të reja. Drejtori Ekzekutiv, Drilon Iseni, thotë se vetë fakti që Fatmir Bytyqi është personi i cili merret me këto masa, u jep shpresë se do ta kenë përgjigje pozitive.

“Ajo që e karakterizon relacionin me Qeverinë dhe Odën ekonomike është funksionalizimi i platformës për dialog publiko-privat të cilën e kryeson z.Bytyqi dhe në baza mujore mbajmë takime të rregullta me të, faktikisht ai është bashkëkryesuesi me kryetarët e Odave dhe çdo muaj mbajmë takime ku diskutojmë mbi nevojat e Biznesit. Definitivisht ekziston një respekt i ndërsjellë mes qeverisë dhe bizneseve. Është një forum ku gjithçka diskutohet në formë të hapur respektohen argumentet e të gjitha palëve”, deklaroi Iseni.

Deri më tani Qeveria ka miratuar gjashtë pako, me afër 900 milionë euro për bizneset. Ditë më parë duke folur në Forumin e parë Ekonomik në Shkup, zv/kryeministri Bytyqi u shpreh se për shkak të këtyre 6 pakove me masa ekonomike kanë arritur të përshtaten shpejt me situatat e reja. Duke u bazuar në statistika, veçanërisht të muajit të fundit, Bytyqi tha se ka një tendencë që ekonomia e Maqedonisë së Veriut të rimëkëmbet.