Odisea ekonomike: Sfidat vazhdojnë, në dukje perspektivë e ndritur
Shkruan: Fatmir Besimi, Ministër i Financave
21 tetor 2023, Shkup – Tetori është muaji kur funksionarët e lartë nga organizatat ndërkombëtare financiare, ministrat e financave dhe zhvillimit, guvernatorët e bankave qendrore, profesorët universitarë, grupet e ekspertëve (think tanks) dhe organizatat joqeveritare nga e gjithë bota mblidhen në një vend, në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Fakt interesant: në takimet vjetore marrin pjesë rreth 10.000 delegatë. Për 74 vitet e fundit, takimet ishin platformë për diskutime mbi flukset ekonomike globale, politikat, stabilitetin financiar, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Në kuadër të tyre u miratuan programe dhe projekte të reja bashkëpunimi me organizatat financiare ndërkombëtare, ndërsa takimet vjetore janë gjithashtu mundësi për përfaqësuesit e qeverive për t’u takuar me investitorë anembanë botës.
Në takimet vjetore të organizuara këtë vit në Marok, ishim pjesë e delegacionit që e kryesuam së bashku me guvernatoren e Bankës Popullore. Gjatë takimeve me Bankën Botërore diskutuam për kornizën e re pesëvjeçare të bashkëpunimit, e cila duhet të finalizohet deri në fund të vitit, nëpërmjet së cilës Banka Botërore do të jetë përkrahëse e projekteve për rritjen e qëndrueshme dhe të gjelbër në vend. Me FMN-në biseduam për gjendjen makroekonomike dhe linjën kreditore të përkujdesjes dhe likuiditetit, me vlerë prej gjysmë miliardë eurove, të siguruara nga fondi shkak të fundamenteve dhe politikave të qëndrueshme ekonomike. Realizuam takim jashtëzakonisht domethënës edhe me kryetarin e parë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila në historinë tonë të pavarur ekonomike ka përkrahur projekte me vlerë 2.55 miliardë euro. Qëllimi është financimi i projekteve të reja investuese në fushat prioritare për ekonominë e Maqedonisë së Veriut.
Në përgjithësi, këto ishin takime mjaft produktive për vendin tonë, të cilat do të ofrojnë përkrahje financiare dhe teknike për zbatimin e mëtejshëm të procesit reformues dhe përforcimin e potencialit të rritjes.
Ngadalësimi i rritjes globale, ekonomitë në zhvillim të ekspozuara ndaj riskut
Përkrahja nga institucionet e Bretton Woods-it është veçanërisht sinjifikative për ekonomitë në zhvillim në periudhë të krizave të vazhdueshme globale, të cilat përkojnë dhe sjellin pasiguri në prospektet e rritjes. Në tre vitet e fundit, ekonomia botërore ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, por rimëkëmbja u ngadalësua dhe nuk ishte e njëjtë. Gjegjësisht, rritja globale sot është nën mesataren sa i përket dy dekadave të fundit para pandemisë, ndërsa projeksionet afatmesme janë në nivel më të ulët gjatë dekadave të fundit. Sipas skenarit bazë të projeksioneve të vjeshtës të FMN-së, të theksuara në Rishikimin ekonomik botëror, rritja globale do të ngadalësohet në 3% në vitin 2023 (krahasuar me vitin 2022 prej 3.5%), ndërsa në vitin 2024 në 2.9%, që është dukshëm nën mesataren historike prej 3.8% gjatë dy dekadave të fundit (2000-2019). Në ekonomitë e zhvilluara, rritja pritet të ngadalësohet nga 2.6% në vitin 2022 në 1.5% në vitin 2023 dhe 1.4% në vitin 2024, ku kushtet rigoroze do fillojnë t’i japin rezultatet e tyre. Në ekonomitë me rritje të shpejtë dhe ato në zhvillim, pritet ngadalësim më i vogël i rritjes nga 4.1% në vitin 2022 në 4% në vitin 2023 dhe 2024.
Duke pasur parasysh nivelin e zhvillimit dhe kapacitetet ekonomike, ekonomitë në zhvillim janë më të ekspozuara ndaj riskut. Ndryshimet lidhur me ekonomitë e zhvilluara dhe rajonet janë bërë edhe më të theksuara vitet e fundit, të cilat kontribuan në fragmentimin gjeoekonomik dhe ndryshimet klimatike. Në dy dekadat e fundit, ekonomitë në zhvillim janë rritur me normë 6%, ndërsa pritshmëritë janë që në 7 vitet e ardhshme, rritja mesatare të ngadalësohet në 4%. Llogaritja është se me çdo pikë përqindje më pak, në nivel global rreth 100 milionë njerëz përballen me varfëri, ndërsa 50 milionë përballen me varfëri ekstreme. Për të bërë diçka në këtë drejtim, duhet të ndërmerren hapa vendimtare tani, të koordinuara ose në nivel global.
Institucionet financiare ndërkombëtare, qëllimi i krijimit të të cilave ishte reagimi i koordinuar gjatë krizave, ruajtja e stabilitetit të ekonomisë globale dhe përkrahja e zhvillimit të ekonomive, sigurisht që do të kenë rol kryesor, së bashku me hartuesit e politikave ekonomike, për përballimin dhe tejkalimin e sfidave në suaza globale.
Historia e Bretton Woods
Gjatë Konferencës së Bretton Woods në vitin 1944 lindi ideja për themelimin e institucioneve të Bretton Woods, respektivisht Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Marrëveshja ndërkombëtare e doganave dhe tregtisë (pararendës i Organizatës Botërore të Tregtisë), ku përfaqësues nga 44 vende u mblodhën për të diskutuar mbi ekonominë botërore dhe sistemin monetar ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore, respektivisht për krijimin e kornizës së bashkëpunimit ndërkombëtar në rrethanat e pasluftës dhe për ruajtjen e stabilitetit monetar. Gjatë mbledhjes, delegacioni amerikan propozoi krijimin e Fondit Valutor, në të cilin secili vend do të kontribuojë dhe do të mund të marrë hua për zgjidhjen e çështjes me deficitet afatshkurtra në bilancin e pagesave. Ky propozim u pranua, me ç’rast prej tij rezultoi krijimi i FMN-së. Në konferencë u nënshkrua Marrëveshja për krijimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, si bazë për sistemin monetar ndërkombëtar të pasluftës, ndërsa FMN-ja filloi me funksionimin e saj në vitin 1945. Në konferencë u miratua vendimi për themelimin e Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, e njohur si Banka Botërore, misioni kryesor i së cilës është sigurimi i asistencës financiare dhe teknike për rikrijimin dhe zhvillimin e ekonomive të prekura dhe të rrënuara nga Lufta e Dytë Botërore. Në fakt, qëllimi i sistemit Bretton Woods ishte ruajtja e punësimit të plotë, çmimet stabile dhe ekuilibri në shkëmbimin global.
Për ruajtjen e praktikës së duhur të reagimit të koordinuar ndaj sfidave globale, takimet e para vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore, si dhe filialeve të saj, Asociacioni Ndërkombëtar i Zhvillimi (IDA) dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), u mbajtën në vitin 1947 për t’i ribashkuar sërish vendet anëtare në diskutime të mëtejshme mbi strategjitë e reduktimit të varfërisë, zhvillimit ekonomik dhe projekteve infrastrukturore. Që atëherë, takimet vjetore janë mbajtur rregullisht. Me kalimin e viteve, qëllimi dhe fokusi i takimeve ka ndryshuar sipas ndryshimeve në ekosistemin global, por qëllimi bazë ka vazhdon të jetë i njëjtë – të përkrahet dhe stimulohet bashkëpunimi ndërkombëtar, stabiliteti ekonomik dhe rritja e qëndrueshme ekonomike.
“Një botë pa varfëri, planet ku mund të jetohet”
Mesazhet e dërguara nga përfaqësuesit e lartë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë takimeve tregojnë urgjencën e situatës dhe nevojën për strategji më të konsoliduara globale, të cilat do të japin rezultate më të shpejta dhe më adekuate. Siç tha kryetari i Bankës Botërore, Ajya Banga, banka ka vizion dhe mision të ri – “të krijohet botë pa varfëri, por në një planet ku mund të jetohet”, sipas rregullave të reja që do të kontribuojnë në “zhvillim esencial dhe cilësi më të mirë jetese me qasje në ajër të pastër, ujë të pastër, arsim dhe kujdes shëndetësor”. Zhvillimi domosdoshmërisht duhet të jetë inkliziv, respektivisht t’i përfshijë të gjitha kategoritë e qytetarëve, veçanërisht gratë dhe të rinjtë, të cilët janë potencial i pashfrytëzuar në tregun e punës. Në vijim, me rëndësi është përforcimi i rezistencës ndaj goditjeve, duke përfshirë ndryshimet klimatike, pandemitë e të tjera, sepse situatat e krizës, siç e kemi parë në tre vitet e fundit, ato nuk janë më të rastësishme, por bëhen mjedisi i ri në të cilin ekonomitë funksionojnë.
Strategjia e re e Bankës Botërore konsiston në përforcimin e përkrahjes financiare dhe asistencës teknike të projekteve zhvillimore, të cilat do të mundësojnë rritje të qëndrueshme dhe të gjelbër, nëpërmjet akumulimit të kapitalit dhe garancive të portofolit, të cilat do të kenë efekt multiplikativ, respektivisht për një dollar do të mobilizohen 6 me deri në 8 të reja. Kryetari i Bankës Botërore bëri të ditur se, ato dhe bankat e tjera multilaterale zhvillimore janë gjithashtu duke eksploruar mënyra të reja për ta shfrytëzuar në mënyrë të duhur kapitalin dhe të drejtat e veçanta të tërheqjes, të cilat do të aktivizojnë mjetet për fondet ekzistuese dhe fondet e reja për qëllimet zhvillimore të bankës.
Porosi të ngjashme, që orientohen në rritjen e rezistencës së ekonomive dhe përkrahjen e likuiditet në periudhën e rigorozitetit të kushteve financiare, nëpërmjet instrumenteve të ndryshme financiare u dërguan edhe nga zonja e parë e FMN-së, Kristalina Georgie, e cila theksoi se nevojitet ndërmarrja e masave serioze për të “shkruar” një të ardhme të re dhe ndryshe, më të mirë në 50 vitet e ardhshme. Në një mjedis ku perspektivat e rritjes janë më të ulëta është thelbësore të zbatohen politikat dhe reformat e duhura, të tilla si ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit financiar, si dhe qëndrueshmëria fiskale. Në këtë drejtim rëndësi të veçantë ka edhe konsolidimi fiskal, për të cilin Qeveria jonë angazhohet si politikë për qëndrueshmërinë fiskale. Konkretisht, zbatojmë disa politika në drejtim të ngushtimit të nevojave për financim dhe forcimit të hapësirës fiskale, duke përfshirë luftën kundër ekonomisë gri, zbatimin e reformave tatimore për përmirësimin e arkëtimit (inkasimit) të tatimeve, kursimeve dhe mënyrave të tjera të mobilizimit të kapitalit. Është interesante fakti që hulumtimi i FMN-së tregon se, vetëm reformat tatimore mund të kontribuojnë me 5% shtesë në rritjen e PBB-së për ekonomitë në zhvillim.
Porositë e përfaqësuesve të lartë të Bankës Botërore dhe FMN-së janë gjithashtu alarmante, por edhe ngjallin shpresë se kemi ende kohë për ndërmarrjen e veprimeve për reduktimin e pabarazive, zhvillimin e vendeve më pak të zhvilluara, inkluzionin e të margjinalizuarve, si dhe përballjen me ndryshimet klimatike përmes zhvillimit të ekonomisë së gjelbër. Krijimi i partneriteteve si reagim ndaj efekteve negative të fragmentimit është gjithashtu i qenësishëm.
Tre dekada partneritet me FMN-në dhe Bankën Botërore
Vendi ynë është prej 30 vitesh anëtar i Bankës Botërore dhe FMN-së. Gjatë këtyre tre dekadave, ata ishin shumë më tepër se organizata në të cilat jemi anëtarë, ata ishin partnerë që na ofruan ndihmë gjatë zhvillimit dhe përkrahje gjatë episodeve të krizës. Banka Botërore, me rreth 100 projekte investuese me vlerë pothuajse 3 miliardë euro, ishte shtytëse aktive në rrugën tonë zhvillimore dhe reformuese. Përkrahja e FMN-së për ekonominë tonë është po aq e rëndësishme (përkatësisht, vetëm linja kreditore e përkujdesjes dhe likuiditetit arrin në gjysmë miliardë euro, ndërkohë që përgjatë viteve fondi ka ofruar përkrahje likuiditeti në disa lloje përmes llojeve të ndryshme të aranzhimeve).
Kryerja e detyrave të sotme, perspektivë e ndritshme për të nesërmen
Gjatë këtyre tri dekadave, ekonomia jonë është krijuar dhe përforcuar në mënyrë sistemike, produkti nominal i brendshëm bruto është pesë herë më i lartë është siguruar kursi devizor stabil fiks i denarit, zhvilluam ekonomi funksionale të tregut, zhvillimin e konkurrencës së ekonomisë vendase dhe pjesëmarrjen e saj në zingjirët ndërkombëtar të furnizimit.
Vendi, këtë vit bëri një hap të rëndësishëm përpara në raport me grupacionin e institucioneve ndërkombëtare financiare, respektivisht arritëm të bëhemi vendi kontribues (donues) në IDA, respektivisht Asociacionin Ndërkombëtar të Zhvillimit ose fondin me të cilin menaxhon Banka Botërore. Përkatësisht, në IDA ekzistojnë dy kategori anëtarësh, sipas kapacitetit të ekonomisë, ata që kontribuojnë në fond dhe ekonomitë më të varfra për të cilat ndahen mjetet. Të gjitha vendet anëtare të Bankës Botërore janë anëtarë të fondit dhe vetë fakti që filluam të kontribuojmë në këtë fond do të thotë se ekonomia jonë nuk është ndër ekonomitë më me risk me nivel më të ulët zhvillimi.
Sinjalet e institucioneve financiare ndërkombëtare për ekonominë e Maqedonisë së Veriut përmes projeksioneve të vjeshtës, nga njëra anë bëjnë thirrje për vigjilencë dhe nga ana tjetër ngjallin shpresën se presin që ekonomia jonë të zhvillohet dhe të ofrojë rezultate. Do të filloj me projeksionin e FMN-së sa i përket rritjes, e cila për këtë vit rriti pritshmëritë për rritje të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut (prej 1.4% në 2.5% rritje të PBB-së në vitin 2023) dhe pse në masë të madhe uli projeksionin për BE-në dhe Gjermaninë, si partnerë tanë tregtarë. Perspektet për rritje ekonomike janë duke u përmirësuar në periudhë afatmesme. Kjo theksohet edhe në Raportin ekonomik rajonal për Ballkanin Perëndimor, i publikuar këto ditë nga Banka Botërore (në periudhë afatmesme parashihet përshpejtimi i rritjes ekonomike). Si rezultat i kësaj theksojnë se, eurointegrimet do ta përshpejtojë procesin reformues dhe do ta përforcojnë kapacitin për rritje të ekonomisë vendase. Gjithashtu, perspektivat për rritjen bazohen edhe në rritjen e investimeve dhe përmirësimin e infrastrukturës.
Gjërat gjithmonë mund t’i shihen në tre aspekte – pesimist, optimist dhe realist. Pikëpamja realiste e ekonomisë vendase është se kemi bërë rrugë të gjatë, por kemi ende shumë për të bërë. Procesi reformues që kemi filluar dhe që është pjesë e përafrimit tonë ndaj Bashkimit Evropian, ku vetë anëtarësimi është i domosdoshëm për t’u siguruar qytetarëve tanë kushte jetese që të gjithë dëshirojmë – shoqëri prosperitare që do të ofrojë të ardhme për fëmijët tanë. Ne jemi ekonomi e vogël dhe e hapur, me ekspozim prej rreth 160% dhe duhet të gjejmë mënyrë për përforcimin e rezistencës sonë dhe mbrojtjen nga krizat globale që vazhdojnë të ndodhin. Tensionet gjeopolitike që intensifikohen paraqesin risk (javën e kaluar ishim dëshmitarë të konfliktit Izrael-Hamas i cili mund të sjellë sfida të reja në zinxhirët e furnizimit me naftë, ndërsa invazioni në Rusi vazhdon edhe më tej), më tej edhe efektet e ndryshimeve klimatike që nuk janë ndjerë akoma dhe fragmentimi gjeoekonomik. Këtë mund ta bëjmë vetëm nëpërmjet forcimit të rezistencës së ekonomisë përmes zbatimit të reformave strukturore që do ta përforcojnë konkurrencën dhe qëndrueshmërinë tonë, por edhe krijimit të partneriteteve, si me vendet e rajonit, ashtu edhe nëpërmjet përafrimit sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Më tej, Plani i përshpejtimit të rritjes ekonomike bazohet në strategjine e njëjtë për multiplifikimin e fondeve investuese, ku në këtë drejtim flasin edhe institucionet financiare ndërkombëtare. Duke lundruar mbi ekonominë e brendshme në ujëra më të qeta dhe të stabilizuara, do të rezultojnë edhe përfitimet e këtij plani strategjik. Me strategji smart mund t’i transformojmë sfidat e sotme në suksese të së ardhmes.
Në vend të epilogut: Odisea jonë ekonomike me perspektivë pozitive
Kaluam periudhë të vështirë me goditje të rënda eksterne në ekonominë tonë, periudhë me kriza të shumta që filloi me pandeminë e kovidit në vitin 2020 dhe vijoi me krizën energjetike dhe inflacionin me goditje të vazhdueshme. Sfidat vazhdojnë edhe këto ditë me interes të trazuar gjeostrategjik dhe me luftëra në kontinentin evropian dhe në Lindjen e Mesme.
Odisea vazhdon, varka jonë noton me sukses në detin e trazuar global, ndërsa ne riparojmë dëmet nga stuhia.
Krijojmë rritje ekonomike në kushte stagnimi ekonomik te partnerët tanë kryesorë ekonomikë dhe në kushte të krizave që nuk zbuten. Zhvillojmë politikë fiskale prudente nëpërmjet uljes së deficitit buxhetor, duke siguruar mjete për përkrahjen e kategorive më të ndjeshme të qytetarëve dhe ekonomisë, përmes kredive të favorshme, duke mbrojtur standardin e qytetarëve nëpërmjet rritjes së pagave dhe pensioneve duke ulur kështu inflacionin (inflacioni nga 19.8 % në muajin tetor të vitit 2022 u ul në 6.6 % në muajin shtator të vitit 2023 dhe do të vazhdojë me trendin rënës edhe më tej). Papunësia vijon të ulet dhe në muajin shkurt 2023 ajo u ul në 13.1% dhe para kovidit ishte 17.3%, pas tij, trendi i uljes së varfërisë vazhdon. Investimet janë në rritje dhe kanë arritur nivelin prej 35% të PBB-së në vitin 2022 (që është më i lartë se niveli para kovidit dhe në vitin 2020 shënoi rënie në 29%), me ç’rast vetëm investimet e huaja arritën nivelin prej 5.2% të PBB-së që paraqet rritje të konsiderueshme për tre vjet me radhë, respektivisht 1.4% dhe 3.3% në vitin 2020 dhe 2021.
Gjithashtu, kontribut të rëndësishëm në rritjen e investimeve kanë edhe investimet publike, të cilat këtë vit u planifikuan në nivel prej 5% të PBB-së, që është dy herë më shumë se mesatarja e dikurshme. Zhvillimet aktuale tregtare në vitin 2023 kontribuan në ulje prej 30% të deficitit tregtar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Zhvillimet e tilla, që janë rezultat i politikave dhe reformave ekonomike, kontribuan në përmirësimin dhe më pas në ruajtjen e vlerësimit kreditor të vendit në vitet pas krizës së kovidit.
Nëse këtu i theksojmë edhe përfitimet e negociatave dhe integrimit në BE, kemi të drejtë të shpresojmë për perspektiva pozitive në periudhë afatmesme, përshpejtim të rritjes dhe përmirësim të cilësisë së jetesës. Perspektiva e ndritur në dukje, si anëtare e ardhshme e Bashkimit Evropian.